LAJME / E Mërkurë 23 Shtator 2026, 04:04

Hetimet e SPAK dhe rivlerësimi i pronave ulin kërkesën dhe çmimet e apartamenteve në Tiranë

Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë po përballet me një rënie të kërkesës për blerje apartamentesh, një trend ky i ndikuar si nga hetimet e intensifikuara të

SPAK, ashtu edhe nga papërballueshmëria e çmimeve për familjet e reja. Sipas agjentëve imobiliarë, sekuestrimet e shumta të pronave luksoze dhe goditja e

burimeve të parasë informale kanë frenuar blerjet nga zyrtarët e administratës dhe grupet kriminale. Në të njëjtën kohë, hendeku i madh mes të ardhurave të

qytetarëve dhe çmimeve të larta, si dhe mungesa e ofertës për prona nën vlerën e 200 mijë eurove, ka kufizuar ndjeshëm blerësit që kërkojnë të zgjidhin çështjen e strehimit.

Kjo ulje e kërkesës ka nisur të reflektohet edhe në uljen e lehtë të çmimeve të shitjes, ku disa njësi në kullat e kryeqytetit po ofrohen me ulje promocionale,

ndërsa të dhënat e indeksit "Keydata Albania" tregojnë një rënie prej 1.2% të çmimit mesatar të apartamenteve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke zbritur në 2,116 euro për metër katror.

Ekspertët e tregut sqarojnë se përveç goditjes së parasë informale nga drejtësia, një faktor kyç në fleksibilitetin e çmimeve ka

qenë edhe nisja e procesit të rivlerësimit të pronave me tatim të reduktuar në 5%, çka u ka dhënë mundësi shitësve të negociojnë ulje më të mëdha për transaksione të shpejta.