Me këtë sulm SHBA ndërhyn drejtpërdrejt në luftë duke u pozicionuar përkrah Izraelit. SHBA goditi tri objekte bërthamore iraniane.
“Impiantet me rëndësi vendimtare për pasurimin e uraniumit” të Iranit janë shkatërruar plotësisht, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Sipas tij ishin bombarduar impiantet nëntokësore të pasurimit të uraniumit në Fordo, si dhe në Natans dhe Isfahan.
Irani tani duhet të zgjedhë rrugën e paqes, përndryshe sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha, kërcënoi presidenti Trump.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Aragchi, reagoi ashpër ndaj sulmeve të SHBA-së ndaj impianteve bërthamore në Iran. Vendi i tij i mban të hapura të gjitha mundësitë për vetëmbrojtje, shkroi Aragchi në platformën X. Sulmet amerikane janë “të paturpshme”.
Pak pas sulmeve amerikane Teherani nisi një valë të re sulmesh kundër Izraelit. Radio-Televizioni shtetëror i Iranit njoftoi se të shtunën në mëngjes (22.06.) drejt Izraelit ishin qëlluar 30 raketa. Izraeli gjithashtu sulmoi përsëri Iranin dhe, sipas deklaratave izraelite, ka bombarduar reparte ushtarake në perëndim të Iranit.
Agjencia iraniane e Energjinë Atomike i konfirmoi sulmet ndaj impianteve në Fordo, Natanz dhe Isfahan duke i quajtur ato shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Në njoftim thuhet gjithashtu se këto sulme nuk do ta ndalin zhvillimin e industrisë bërthamore të Iranit.
Sipas mediave shtetërore iraniane nuk ka shenja kontaminimi radioaktiv. Agjencia Iraniane e Energjisë Atomike tha se nuk ka rrezik për banorët e vendeve të sulmuara. Këtë e konfirmoi edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.
Sulm me bomba bunkershkatërruese
Sipas njoftimeve të medias amerikane gjashtë avionë bombardues të tipit B-2 hodhën dymbëdhjetë bomba speciale të tipit GBU-57 për shkatërrimin e bunkerëve në Fordo dhe dy në Natanz. Përveç bombave bunkershkatërruese Natansi u sulmua edhe me raketa të hedhura nga nëndetëset. Kurse objektivi i tretë në qytetin e Isfahanit thuhet se u sulmua vetëm me raketa të lëshuara nga nëndetëset. Njoftohet se nëndetëset kanë lëshuar rreth 30 raketa ndaj objektivave në Isfahan dhe Natans.
Bombat e tipit GBU-57 janë të afta të shkatërrojë bunkerë dhe objekte të tjera që gjenden thellë nën sipërfaqen e tokës. Këto bomba kanë një ngarkesë lënde shpërthyese prej 13,607 kilogramësh dhe mund të depërtojnë më shumë se 60 metra në tokë para se të shpërthejë dhe janë të vetmet armë që mund të shkatërrojë objektet bërthamore nëntokësore të Iranit, si centrali bërthamor në Fordo.
Gjithashtu avionët bombardues të tipit B-2 janë të vetmit që kanë kapacitetin e nevojshëm për të sulmuar me bomba speciale objekte që gjenden thellë nën tokë.
Pas sulmeve ajrore të SHBA-së Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi për një “spirale kaosi” dhe bëri thirrje për një zgjidhje “diplomatike”. Sulmet janë “një përshkallëzim i rrezikshëm në një rajon në prag të katastrofës dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Kurse kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e quajti sulmin e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane si një “vendim të guximshëm” me rëndësi historike. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, veproi me “forcë të madhe” për t’i mohuar “regjimit më të rrezikshëm armët më të rrezikshme në botë”, tha Netanjahu./DW, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE