
Mes debateve dhe përplasjeve, kështu është zhvilluar mbledhja e kësaj të diele mes kryeministrit Edi Rama dhe komunitetit të Poliçanit.
Përpos kryebashkiakut, Adriatik Zotkaj, pjesë e përplasjes me kreun e qeverisë ka qenë edhe aktorja Egla Ceno, e cila me urdhër të kryeministrit është nxjerrë më pas jashtë sallës.
Ky fakt i fundit është bërë me dije nga vetë Ceno përmes një deklarate për Top Channel. Aktorja ka treguar se kërkesa e saj ka qenë vetëm që kryeministri ta dëgjonte, ndërkohë që ky i fundit i kishte kërkuar që të dilte jashtë nga salla.
Aktorja tha se përfaqësuesit e Poliçanit kishin marrë pjesë në takim me qëllimin për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me ndarjen territoriale dhe të paraqisnin qëndrimin e komunitetit. Sipas saj, pas fjalës së disa qytetarëve, diskutimi u ndërpre nga kryeministri, i cili vijoi me një fjalimin e tij, ndërsa kërkesat për replikë nga të pranishmit nuk u morën parasysh.
Në një moment, Ceno i ka kërkuar Ramës nëse qytetarët do të kishin mundësi të flisnin dhe të dëgjoheshin. Kërkesa e saj, sipas rrëfimit të aktores, është shoqëruar me tension dhe me urdhrin që ajo të largohej nga salla.
