
Nga sulmet ndaj protestuesve te imitimet e influencerëve, kryeministri duket gjithnjë e më i shqetësuar nga revolta që po rritet para Kryeministrisë
Në vend që të fliste për protestën që prej ditësh po mbledh mijëra qytetarë para Kryeministrisë, Edi Rama zgjodhi të tërhiqte vëmendjen me një tjetër shfaqje të pazakontë në Elbasan.
Gjatë aktivitetit të Partisë Socialiste, kryeministri la mënjanë fjalimin politik dhe nisi të imitojë vajza të njohura të rrjeteve sociale që kanë shprehur mbështetje për protestën kundër projektit në Zvërnec. Gjeste, mimika dhe spërdredhje që më shumë ngjanin me një skeç humori sesa me një dalje të një kryeministri që përballet me protestën më të madhe të muajve të fundit.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta dhe duke e kthyer momentin në një nga episodet më të komentuara të ditës politike.
Në pamje të parë, Rama dukej sikur ishte në humor dhe po tallej me kundërshtarët. Por pas ironive dhe imitimit të protestuesve, shumëkush sheh një shqetësim në rritje përballë një lëvizjeje që po fiton terren nga dita në ditë.
Ajo që bie më shumë në sy është fakti se energjia kryesore e protestës po vjen pikërisht nga brezi i ri. Studentë, aktivistë, blogerë, krijues përmbajtjeje dhe përdorues të rrjeteve sociale po kthehen në motorin kryesor të mobilizimit qytetar, duke shpërndarë vazhdimisht video, foto dhe mesazhe në mbështetje të protestës.
Paradoksi është se shumë vite më parë, një pjesë e kësaj energjie rinore ishte në anën e vetë Edi Ramës. Në fillim të viteve 2000, kur rrjetet sociale nuk ekzistonin, Rama shihej nga shumë të rinj si simbol i politikës së re dhe alternativës ndaj establishmentit të kohës. Pikërisht ajo mbështetje e brezit të ri u shndërrua më vonë në një nga shtyllat kryesore që e çoi drejt pushtetit.
Sot, pas më shumë se një dekade në qeveri, duket se raporti është përmbysur. Ata që dikur e shihnin si simbol ndryshimi, po dalin në protestë kundër tij. Ndërsa protesta vazhdon të zgjerohet dhe të marrë përmasa politike, reagimet e fundit të kryeministrit po interpretohen nga shumë qytetarë si shenjë se presioni i rrugës po ndihet gjithnjë e më shumë brenda mureve të pushtetit.
Në vend të përgjigjeve për kërkesat e protestuesve, nga Elbasani mbetën kryesisht imitimet, batutat dhe një video që për shumëkënd e bëri kryeministrin personazhin më të komentuar të ditës, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
