
Me baba shqiptar dhe nënë filipinase, Adile Hoxha është një blogere që jeton në Australi. Për Euronews Albania ajo rrëfen historinë e familjes së saj dhe shpreh dëshirën për të jetuar në Shqipëri.
Adile Hoxha, ka lindur dhe jetuar gjithë jetën e saj në Australi, por kurrë nuk e ka harruar origjinën e saj, Shqipërinë.
“Kur isha e vogël vetëm flisnim shqip bashkë, kisha një abetare dhe lexova libra, kënduam këngë”-tha Adile Hoxha.
Ajo mban emrin e gjyshes, Adile është vajza e Ekrem Hoxhës dhe mbesa e patriotit Daut Hoxha.
“Babi im e ka vendosur se atë e mori malli për nënën kur ai iku nga Shqipëria ai iku në mes të natës dhe ishte 16 vjeç dhe nuk i tha që do iki, mendoi se do iki, nëna vdes ne 83 dhe nuk kishte mundësi të shikoj nënën”, tha ajo.
37-vjeçarja është e dashuruar me Shqipërinë. Ka 8 vite pa ardhur, ndaj mezi pret të takojë familjarët e saj si dhe të provojë ushqimet tradicionale.
“Kam një hallë një Durrës, një në Delvinë dhe një xhaxha në Durrës dhe disa kushërinj në Tiranë, kam njerëz akoma. Byrekë dhe speca të mbushura, hamë mish qengji ka dhe këtu por është tjerë kur je në Shqipëri, shpresoj të vij në behar.
Babai i Adiles ka ndërruar jetë ne vitin 2021, në moshën 94-vjeçare. Ashtu siç ai loboi fort që ajo të mos harrojë gjuhën shqipe, e aq me pak traditat e vendin nga vjen.
“Kam një vëlla që nuk është i martuar dhe babi mërzitej gjithmonë për vëllain dhe ai më tha, Adile vëllai nuk ka nuse më premto që do kujdesesh për të dhe unë i thash babi unë jam më e vogël dhe për mua që nuk isha martuar dhe i thash baba mos ki merak unë jam mirë”, rrëfeu blogerja.
Adilja tregon se në karakter është fiks si një shqiptare, kokëfortë dhe patriote, ndaj mezi pret që një ditë të jetojë pranë tokës amë.
