
Tri motra humbën jetën pasi një zjarr përfshiu një qendër tregtare, duke detyruar klientët e tmerruar të hidheshin nga dritaret për të shpëtuar. Blerësit u hodhën nga lartësia deri në 11 metra për t’i shpëtuar flakëve, ndërsa zjarri shkaktoi vdekjen edhe të një gruaje tjetër dhe plagosi të paktën pesë persona.
Personat e bllokuar brenda qendrës tregtare në Sterlitamak, Rusi, u kërkonin ndihmë njerëzve në rrugë, ndërsa tymi i zi përfshinte të gjithë kompleksin. Pamjet nga vendngjarja tregojnë njerëz që hidhen nga dritaret, ndërsa banorët poshtë tyre kishin shtrirë çarçafë për t’i kapur.
Mes viktimave ishin motrat Elena Egorova, 45 vjeç, Viktoria Samigullina, 34 vjeç dhe Elizaveta Musina, 29 vjeç. Ato kishin shkuar për të blerë një dhuratë ditëlindjeje për nënën e tyre, kur u zunë në befasi nga flakët. Një drejtues kamioni e zhvendosi automjetin e tij poshtë një dritareje rreth 7.6 metra të lartë, duke u krijuar mundësinë dy grave të zbrisnin përmes një shkalle dhe të shpëtonin.
“Dëgjova thirrje për ndihmë vetëm pak sekonda pasi parkova për të shkarkuar mallrat në një dyqan aty pranë”, tha ai. “Pashë dritat e elektrikëve në dritaret e katit të tretë.” “Zjarrfikësit ende nuk kishin mbërritur.” Një vajzë 17-vjeçare mbeti në koma pasi pësoi helmim të rëndë nga monoksidi i karbonit dhe fraktura, ndërsa po ndihmonte persona të tjerë të largoheshin nga qendra tregtare.
Edhe një grua 35-vjeçare ndodhet në koma, pasi pësoi helmim të rëndë nga tymi. 17 persona të tjerë u evakuuan nga qendra tregtare. Një dëshmitar tregoi se si një grua, e cila po zbriste nga shkalla e vendosur mbi kamion, humbi ekuilibrin dhe ra mbi një burrë.
“Ishte e tmerrshme. Një grua ra nga shkalla mbi një burrë, pikërisht para syve të mi”, tha dëshmitari. Personat që ndodheshin në vendngjarje thanë se kishte pasur një vonesë të madhe në mbërritjen e zjarrfikësve. Mungesa kronike e zjarrfikësve, që sipas spekulimeve lidhet me luftën e Vladimir Putinit në Ukrainë, mund të ketë ndikuar në vonesën e ndërhyrjes. Sipas Ministrisë ruse për Situatat e Emergjencave, shërbimit federal të zjarrfikësve në Rusi i mungojnë rreth 203.750 punonjës për të funksionuar në mënyrë efektive.
Ministri Alexander Kurenkov tha se njësitë ishin të pajisura me vetëm 65.5% të personelit të nevojshëm. Sipas raportimeve, zjarrfikës nga rajone të ndryshme të Rusisë janë rekrutuar për të shërbyer në vijën e frontit në Ukrainë. Pagat e ulëta kanë kontribuar gjithashtu në mungesën e personelit.
