
Elvis Lila do të jetë drejtuesi i përkohshëm i Shërbimit Informativ të Shtetit, pasi institucioni ka mbetur pa drejtues prej ditës së djeshme kur SPAK njoftoi pezullim nga detyra për Vlora Hysenin dhe kryeministri Edi Rama e liroi.
Në kushtet kur një nga institucionet kyçe të sigurisë dhe kundërzbulimit në vend është në një situatë të tillë, është vendosur që drejtimi i përkohshëm t’i besohet Elvis Lilës.
“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkroi dje kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Amerikë.
Konkretisht, për Vlora Hysenin janë caktuar nga SPAK masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
Nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal bëjnë fjalë për Përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasi, në mënyrë që ai t’i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, si dhe Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, dhënia e informacioneve të konsideruara sekret ndaj personave të tretë, sërish në këtë rast Ergys Agasi.
“Do përfundojmë keq, shpirt “, zbardhen MESAZHET mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, SPAK gjeti edhe diagrame sekrete të SHISH në shtëpinë e biznesmenit: Do ia hedhim… (DETAJE)
Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni dhe biznesmeni kontravers Ergys Agasi, rezulton se kanë pasur komunikime të vazhdueshme edhe përtej punës dhe siç rezulton nga mesazhet e zbardhura, përmbajtja e tyre konfirmon këtë fakt.
“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”, ishte një nga mesazhet që Vlora Hyseni i shkruante Ergys Agasit. Gjatë kësaj kohe, mendohet se biznesmeni ka qenë në kërkim.
Mes ish-drejtueses tashmë të shkarkuar të SHISH dhe Ergys Agasit, ka pasur komunikim deri pak para arrestimit të biznesmenit në zonën e Plepave në Durrës. “Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha”, i ka shkruar Vlora Hyseni biznesmenit.
Gjithashtu, bëhet me dije se SPAK ka gjetur në makinën e Ergys Agasit, 9 faqe me diagrame (dokumente sekrete) të SHISH, gjatë kontrolleve që u ushtruan në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Biznesmeni mësohet se në seancë e ka pranuar se dokumentet i përkisnin atij dhe se i kishte lënë me qëllim që t’i gjente SPAK aty.
