
Një 36-vjeçar humbi jetën një ditë më parë në zonën e Alliasit në Tiranë, pasi u hodh nga kati i pestë i një pallati. Viktima është identifikuar si Gerald Sefa, ndërsa hetimet për rrethanat që i paraprinë ngjarjes kanë çuar në arrestimin e një personi.
Në pranga është vënë Sajmir Demiri, babai i ish-bashkëjetueses së 36-vjeçarit. Ai dyshohet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes.
Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, rreth dy ditë përpara ngjarjes Demiri dyshohet se ishte konfliktuar verbalisht me Sefën, duke i kërkuar shpjegime lidhur me përfundimin e marrëdhënies së tij me vajzën.
Hetuesit po verifikojnë nëse konfliktet dhe presioni i pretenduar ndaj 36-vjeçarit kanë ndikuar në vendimin e tij për t’i dhënë fund jetës.
Rasti fillimisht ngriti dyshime edhe për një skenar tjetër. Brenda banesës u gjet një thikë me njolla gjaku, çka bëri që policia të shqyrtonte edhe mundësinë e një ngjarjeje kriminale.
Megjithatë, sipas burimeve, nga ekspertiza e kryer më pas janë konstatuar në thikë gjurmë gishtash që i përkisnin vetë Sefës. Dyshohet se përpara se të hidhej nga ndërtesa, 36-vjeçari kishte tentuar të dëmtonte veten.
