
Një gjykatë në Greqi ka dënuar me pesë vite burgim 31-vjeçaren shqiptare, e cila i mori 35 mijë euro një të moshuari grek përmes mashtrimit. Ngjarja ndodhi më 25 janar të muajit të kaluar.
Sipas hetimeve, i moshuari mori një telefonatë nga një person i panjohur (mik i shqiptares), i cili i komunikoi se djali i tij ishte përfshirë në një aksident rrugor dhe se një shqiptar kishte humbur jetën. Personi i panjohur e informoi se djali i të moshuarit ishte përgjegjës për aksidentin dhe kërkoi një shumë prej 80 mijë eurosh për të shmangur denoncimin dhe dënimin, si dhe për transportimin e trupit të viktimës nga Greqia në Shqipëri.
Në ankth dhe nxitim, i moshuari besoi historinë dhe, pasi nuk mundi të kontaktonte djalin, u dakordua të dorëzonte paratë. Fillimisht, ai dërgoi 35 mijë euro, pasi nuk kishte më shumë në dispozicion. Pas dorëzimit të parave, i moshuari kuptoi se ishte mashtruar dhe e denoncoi rastin në polici. Pas hetimeve, policia arrestoi 31-vjeçaren shqiptare dhe sekuestroi shumën e parave që ajo kishte marrë nga i moshuari.
