
Goditje e re për Dani Alves. Për të tretën herë radhazi, gjykata e Barcelonës i ka mohuar lojtarit lirinë provizore. Prandaj, ish-mbrojtësi i Juventusit dhe Barcelonës do të qëndrojë i izoluar në burgun "Brians 2", ku ka qenë i mbyllur për gati një vit, më saktë që nga 20 janari i kaluar.
Pozicioni i futbollistit nuk është më i miri dhe për këtë, siç lexojmë në mediat spanjolle, në marrëveshje me avokatin e tij, braziliani vendosi ta dëmshpërblejë "viktimën", 23-vjeçaren e cila pretendon se është përdhunuar prej tij, me 150 mijë euro.
“Kjo do të nënkuptonte aplikimin e rrethanës lehtësuese të kompensimit të dëmit, kështu që mund të shqiptohet një dënim me më pak se dy vite burg”, – thonë burime pranë Alves.
Prokuroria kërkoi 9 vite burg për Dani Alves. Gjatë gjithë këtyre muajve, lojtari e ka ndryshuar versionin e tij të ngjarjeve pesë herë. Megjithatë, "viktima" e ka mbajtur të paprekur historinë e saj që në deklaratën e parë në polici. Kjo i bën fjalët e saj shumë më të besueshme se ato të 40-vjeçarit, që është i martuar me modelen Joana Sanz.
Dani Alves ndodhet në burg që nga 20 janari 2023. Ai akuzohet se ka përdhunuar një 23-vjeçare në një klub nate në Barcelonë. Deri më sot ai është vetë-deklaruar gjithmonë i pafajshëm, duke u siguruar që raporti seksual me vajzën 23-vjeçare të ketë ndodhur në mënyrë konsensuale.
Megjithatë, gjykata deklaroi se ka "prova të bazuara mirë" kundër kampionit brazilian, duke përfshirë rrëfimin e "viktimës" dhe atë të disa dëshmitarëve.
