
Ish-Kryeministri: Po protestohet kundër diktaturës së Ramashenkos
Pas disa ditësh i izoluar në shtëpi, Sali Berisha pa më në fund dritë. Ish-Kryeministri doli në dritare për të përshëndetur dhjetra mbështetës, të cilët u mblodhën poshtë banesës.
Nuk kurseu puthjet dhe gjithë dashamirësinë, për ata të cilët prej disa ditësh qëndrojnë në rrugicën e shtëpisë së tij.
E sikur mos të mjaftonin përshëndetjet, ish-Kryeministri përshëndeti edhe me dy flamujt e PD.
Mes dhjetra mbështetësve të ish-Kryeministrit, ishte dhe vajza e tij Argita Malltezi, e cila përcolli një mesazh optimist, por dhe një paralajmërim se ky është fillimi i betejës.
Ish-Kryeministri Berisha ndodhet me masë sigurie “arrest në shtëpi” pas vendimit që mori dy ditë më parë Gjykata e Posaçme, si person ndaj të cilit po zhvillohen hetime për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Argita Malltezi përshëndet mbështetësit e Berishës: Ky është vetëm fillimi, betejën do ta fitoni
Argita Malltezi, vajza e ish-Kryeministrit Sali Berisha, ka përshëndetur simpatizantët e babait të saj të cilët ishin mbledhur poshtë pallatit ku banon kreu i Partisë Demokratike në shenjë mbështetje.
Në fjalën e saj të shkurtër përpara tyre që ishin grumbulluar në rrugën “Mustafa Matohiti”, Argita Malltezi tha se të nisësh vitin në këtë mënyrë ëstë e vështirë por edhe motivuese.
Ajo u shpreh e bindur në fitoren e betejës së demokratëve.
“Ju falenderoj shumë për pjesëmarrjen tuaj, për ardhjen dhe gjithë angazhimin tuaj këto ditë të para të Vitit të Ri, që nisën Vitin e Ri në barrikadën e luftës për fitoren e pluralizmit, për mbrojtjen e pluralizmit. Të nisësh Vitin e Ri me një sfidë të tillë është e vështirë, por është gjithashtu shumë motivuese. Do fitojmë padiskutim. Asnjë diktator nuk i përballet dot shpirtit tuaj të lirë, nuk ka pranga sistemi që mund të burgosin lirinë tuaj dhe ju jeni misionarët e kësaj lufte që nga kjo rrugicë do të shtrihet në gjithë rrugët dhe rrugicat e Shqipërisë. Ky është vetëm fillimi dhe kjo është beteja që ju do ta fitoni. Ju do të jeni misionarët e kësaj lufte që do të kapilarizohet në gjithë vendin. Ju falenderoj shumë dhe ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe me fitore. Jam e bindur që Zoti këtë vit ka plane shumë të bukura për Shqipërinë dhe do të shpërblejë të gjithë demokratët për luftën e tyre dhe për qëndresën e tyre”, u shpreh Argita Malltezi.
