LAJME / E Enjte 10 Korrik 2025, 15:03

Azgan Mërnica vr*u efektivin e "Shqiponjave" pas debatit për kalimin e makinave, Prokuroria kërkon burg përjetë

Prokuroria e Fierit kërkon dënimin me burgim të përjetshëm për Azgan Mërnicën, të riun që akuzohet se vrau efektivin e Forcave Speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia, pas një konflikti në rrugë.

Pretenca u dha sot (10 korrik) nga organi i akuzës, që lexoi konkluzionet përfundimtare të dosjes pas procesit gjyqësor në Gjykatën e Fierit, për t’i lënë radhë edhe konkluzioneve të palë mbrojtëse, para se të shpallet verdikti.

Mërnica akuzohet për veprat “vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Pretenca e Prokurorisë së Fierit:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkon dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit A.M. për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg. I dhe 291 të Kodit Penal, kryer ndaj viktimës N.C.

Nga hetimi dhe gjykimi mbi procedimin penal nr. 689, të vitit 2024, u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.

Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë dhe më tej situata ka përshkallëzuar ku i pandehuri A.M duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Në përfundim të gjykimit të këtij procedimi penal, sot në datë 10.07.2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në diskutimet përfundimtare kërkoi:

1.         Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

2.         Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 prg. I i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.

3.         Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.

4.         Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit A.M. me burgim të përjetshëm.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit”, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE