LAJME / E Hënë 10 Gusht 2026, 15:03

“Çartet” Gani Geci, paralajmeron Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiun

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, ka paralajmëruar se do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, deputetes Albulena Haxhiu dhe personave të tjerë që, sipas tij, mund të kenë përgjegjësi për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues.

Përmes një reagimi publik, Geci tha se pas leximit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, ka krijuar bindjen se veprimet ose mosveprimet e disa zyrtarëve mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“I paralajmëroj shkelësit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës se do të bëj kallëzim penal kundër tyre për veprime ose mosveprime që mund të përbëjnë shkelje të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Geci.

Sipas tij, përgjegjësia duhet të hetohet nga organet kompetente, pasi ai dyshon se gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit mund të jenë konsumuar elemente të veprave penale.

“Unë, duke e lexuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO124/25, po dyshoj se vetë Lëvizja Vetëvendosje, z. Albin Kurti dhe znj. Albulena Haxhiu, me veprimet ose mosveprimet e tyre, mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe mund të kenë konsumuar elemente të veprave të tjera penale”, ka deklaruar ai.

Geci bëri të ditur se kallëzimi penal do të kërkojë nga Prokuroria Speciale të vlerësojë nëse ekzistojnë elemente të veprave penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prandaj, po i paralajmëroj se do të paraqes një kallëzim penal ndaj këtyre personave si përgjegjësit kryesorë, duke kërkuar nga organet kompetente të drejtësisë që të hetojnë nëse veprimet ose mosveprimet e tyre përmbajnë elemente të ndonjë vepre penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e tij.

Sipas Gecit, kallëzimi do të përfshijë:

Albin Kurtin, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ushtruesit të detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës;
Albulena Haxhiun, në cilësinë e personit që ka ushtruar funksione publike gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit dhe aktualisht deputete e betuar;
Si dhe persona të tjerë përgjegjës, të cilët mund të identifikohen gjatë procedurës hetimore.

Deklaratat e Gecit vijnë në kohën kur vendi po përballet me krizë institucionale, pas moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë reaguar ndaj paralajmërimit të Gani Gecit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE