LAJME / E Mërkurë 16 Shtator 2026, 12:12

Arjan Konomi publikon audion me drejtuesen e Top Channel pas përplasjes me Ramën, zbulon çfarë iu tha

Arjan Konomi ka bërë një tjetër reagim publik për raportin e tij me Top Channel, duke dhënë versionin e tij për atë që ndodhi me rikthimin e planifikuar në “Për’puthen” dhe duke publikuar një audio që ia atribuon zëvendës-CEO-s së televizionit, Steliana Selmani.

Ish-opinionisti sqaroi fillimisht se deklaratat e tij të mëparshme nuk i drejtoheshin Sara Hoxhës. Konomi tha se nuk ka dijeni për ndonjë qëndrim të saj lidhur me situatën dhe se nuk dëshiron t’i atribuojë përgjegjësi për një vendim për të cilin, sipas tij, nuk e di nëse ajo ka qenë e përfshirë.

Në qendër të reagimit të tij është Selmani. Sipas versionit të Konomit, drejtuesja e kishte telefonuar pas përplasjes së tij me Linda Ramën dhe deklaratave publike që pasuan incidentin në Vuno.

“Ke bullizuar një femër. Nuk i flitet ashtu një femre”, pretendon Konomi se iu tha gjatë telefonatës.

Por gazetari thotë se biseda kishte vijuar edhe te qëndrimet e tij publike. Sipas tij, iu komunikua se, duke qenë një imazh i Top Channel, nuk mund të shprehte bindje politike apo të merrte pjesë në protesta.

“Je imazhi i Top Channel-it dhe nuk mund ti të shprehësh bindje dhe gjëra politike. Nuk mund të marrësh pjesë në protesta”, citoi Konomi nga biseda.

Ai tha se e kishte kundërshtuar këtë qëndrim, duke argumentuar se angazhimi i tij ishte në një program dashurie dhe jo në një format politik. Konomi pretendon gjithashtu se momenti kur iu komunikua se bashkëpunimi nuk do të vazhdonte e kishte vendosur në vështirësi profesionale.

“Po ta dija kështu që në mes të beharit, do kisha bërë plane të tjera… tani në fund të sezonit, ku çdo gjë është mbyllur, mbetem i papunë”, tregoi ai.

Sipas Konomit, pikërisht gjatë këtij diskutimi kishte ardhur edhe fraza që shkaktoi një tjetër përplasje mes tyre: “Po, se ti nuk e mbyll buçën”.

Këtë herë, ish-opinionisti vendosi të publikojë edhe një fragment audio që, sipas tij, është përgjigjja e Selmanit pasi ai i kishte shprehur pakënaqësinë për mënyrën e komunikimit.

Në audion e publikuar dëgjohet një zë që e vendos vendimin në kontekstin e situatës së krijuar dhe të asaj që kërkohej për “Për’puthen”. Ndërsa për shprehjen “mbyll buçën”, në material jepet një tjetër interpretim.

“Fjalën ‘mbyll buçën’ nuk e thashë fare në kontekstin që do ta marrësh ti. Ta kam thënë në kontekstin konfidencial, miqësor dhe humoristik”, dëgjohet në audion e publikuar nga Konomi.

“Nëse do që ta bësh këtë marrëdhënie armiqësore, bëje, Arjan”, vijon më tej zëri në regjistrim.

Pas publikimit të audios, Konomi vazhdoi kritikat ndaj drejtueses, duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, ishte trajtuar dhe duke pretenduar se përgjegjësia për situatën nuk duhej t’u atribuohej Lori apo Sara Hoxhës.