LAJME / E Martë 24 Qershor 2025, 20:08

Aksident tragjik: Përplasen tre automjete, një i vdekur dhe dy të plagosur

Një aksident tragjik është regjistruar mesditën e sotme në aksin rrugor Prishtinë–Gjilan, ku përplasja e rëndë mes tre automjeteve ka sjellë pasoja fatale.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, në një segment të frekuentuar të kësaj rruge, ku janë përfshirë dy automjete të vogla dhe një kamion. Lajmin e konfirmoi për mediat zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila sqaroi se si pasojë e përplasjes një person ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar menjëherë për trajtim mjekësor.

“Sot rreth orës 12:00 në rrugën Prishtinë-Gjilan, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të tri automjeteve (dy vetura dhe një kamion). Si pasojë e aksidentit, në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një person dhe janë lënduar dy të tjerë të cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, – deklaroi Ahmeti.

Ekipet e Policisë së Kosovës dhe autoambulancës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku u bë edhe bllokimi i përkohshëm i qarkullimit për të kryer veprimet hetimore. Grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e shkaqeve që çuan në aksidentin fatal, ndërkohë që nuk janë bërë ende publike identitetet e viktimës apo të të plagosurve.

Ky është një tjetër aksident i rëndë që ngre shqetësime për sigurinë rrugore dhe respektimin e rregullave të qarkullimit në rrugët e Kosovës, veçanërisht në akset me qarkullim të dendur dhe me histori incidentesh.