‘Vetëvrasja’ e Sibela Adedinit, shokon Altin Çoku në emisionin “Me Zemër të Hapur”: Kam pasur lidhje me të ndjerën. Ia kishin ...

Në studion e emisionit “Me zemër të Hapur” në News24 të moderatores dhe autores Evis Ahmeti,
ngjarja e vetëvrasjes së Sibela Abedinit ka qenë në fokus të diskutimeve
gjatë disa emisioneve maratonë.
Në dëshminë e tij, e cila u transmetua ditën e sotme, Altin Çoku pretendon se ka pasur
një lidhje intime me Sibelën. Sipas tij, kjo lidhje ka nisur rreth datës 27 të muajit kur Sibela ndërroi jetë,
në periudhën kur ajo punonte si sanitare në zonë, dhe ka zgjatur rreth 10 ditë, deri para ngjarjes tragjike.
Altini shprehet se nuk e ka bërë publik këtë fakt më parë, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve të tij dhe të imazhit të fëmijës së Sibelës nga bullizmi shoqëror.
Ai pretendon se fotografia e përbashkët, e cila ka qarkulluar në rrjetet sociale, është realizuar prej tij me telefonin e tij dhe më pas është kaluar në telefonin e Sibelës, duke shtuar se ajo e kishte vendosur fotografinë si foto profili.
Nga ana tjetër, motra dhe familjarët e Sibelës e mohojnë kategorikisht ekzistencën e kësaj lidhjeje, duke i konsideruar pretendimet e Altinit trillime dhe një inskenim për të njollosur imazhin e vajzës së ndjerë.
Gjatë seancave gjyqësore dhe hetimeve, familjarët kanë deklaruar se nuk ka pasur asnjë lloj lidhjeje apo komunikimi intim mes tyre. Ndërkohë, çështja mbetet në vëmendjen e organeve kompetente, të cilat duhet të verifikojnë provat, fotografitë dhe ekspertizën e telefonave.
Altin Çoku: Unë në asnjë moment nuk kam hedhur baltë mbi të ndjerën. Daniela Abedini më ka akuzuar më kot. Unë si Altin kam pasur lidhje me Sibelën, por në asnjë moment nuk i kam bërë dhunë psikologjike dhe as kam ushtruar dhunë fizike ndaj Sibela Abedinit. Kam pasur lidhje intime me Sibelën. Nuk e kam pranuar lidhjen deri më sot, sepse duke menduar që jam prind vetë dhe që fëmija i saj mos të bullizohet. Po, jam duke pohuar një tradhti bashkëshortore. Bashkëshortja ime nuk ka qenë në dijeni për këtë lidhje. Lidhja ime ka nisur, kur bashkëshortja ime ka qenë në Itali.
Sibela erdhi si pastruese tek shtëpia ime. Pastaj, vazhduam lidhjen. 10 ditë para se të ndodhte ngjarja, krijuam lidhje intime. Ditët e para jemi takuar shpesh, por në datat 8 e mbrapa nuk e kam takuar. Fotografia është bërë nga telefoni im dhe sesi ka përfunduar nëpër duart e njerëzve nuk e di. I është marrë telefoni të ndjerës, sepse ajo e mbante foto profili atë foto që kam bërë unë dhe asaj fotoje, i kanë bërë fotografi sipër telefonit. Nuk kam pasur lidhje me Daniela Abedinin, kjo është e pavërtetë. Sesi m’i prishi Zoti mendtë dhe shkova me Sibelën, nuk e di. Policia nuk ka marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes. Kam kërkuar që t’i bëhet ekspertizë telefonit të Sibela Abedinit.
Fola natën e flijimit dhe Sibela Abedini nuk m’u duk fare e shqetësuar as natën e fundit të jetës së saj. Jam i sigurt që Sibelën e ka shtyrë dikush. Sibela Abedini nuk ka pasur arsye për t’u vetëvrarë, sepse ajo ka pasur ëndrra të papërfunduara në jetë. Këtë që kam bërë, e kam bërë gabim. Do të lutesha që ata persona që janë jashtë e kanë dijeni për ngjarjen të mblidhen, të dalë e vërteta dhe personi që e ka hedhur Sibelën, të marrë dënimin që meriton. Sibela Abedinit ia kanë pas’ vjedhur të gjitha rrjetet sociale.
© BalkanWeb



