Vrasja e Liridona Ademajt/ Ndodh kthesa me kujdestarinë e fëmijëve pas vendimit të Apelit

Familja e Liridona Ademajt po kërkon kujdestarinë e dy fëmijëve të saj, pasi Gjykata e Apelit
ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj babait të tyre, Naim Murselit,
për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Siç raporton Gazeta Sinjali, kërkesa për kujdestarinë e fëmijëve ishte parashtruar më herët,
por shqyrtimi i saj ishte kushtëzuar me përfundimin e procedurës gjyqësore në Kosovë.
Me vendimin e Apelit, tashmë i është hapur rruga shqyrtimit të kësaj kërkese.
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi edhe dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Granit Plavës, si dhe atë me 30 vjet burgim ndaj Kushtrim Kokallës.
Kujtojmë se Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në Bërnicë të Prishtinës, teksa ndodhej në veturë së bashku me Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Murseli e kishte organizuar vrasjen për motive hakmarrjeje, pas përkeqësimit të marrëdhënieve martesore.
Gjykata kishte konstatuar gjithashtu se Murseli synonte të përfitonte nga polica e sigurimit të jetës së Liridonës, në vlerë prej tre milionë kronash suedeze.



