E papritur me gjyqin e Luiz Ejllit, çështja e këngëtarit kthehet sërish për rigjykim (Detajet)

Nga Class• 24 November 2026

E papritur me gjyqin e Luiz Ejllit, çështja e këngëtarit

Luiz Ejlli do të gjykohet sërish në Apel për akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Më 24 nëntor, Gjykata e Lartë prishi vendimin që e kishte shpallur të pafajshëm këngëtarin

dhe ia ktheu çështjen për rigjykim Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

 Dosjen do ta shqyrtojë një tjetër trupë gjykuese.

Në qendër të çështjes është një deklaratë noteriale që lidhet me burimin e 210 mijë eurove.

Sipas Prokurorisë, Ejlli dyshohet se përdori vulën e noterit për të hartuar deklaratën në favor të Fatmir Avdurramanit, në një kohë kur këngëtarit i ishte hequr licenca për të ushtruar këtë profesion.

Më 2 tetor 2024, Gjykata e Fierit e dënoi me një vit burg këngëtarin, fitues të edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”, ndërsa për Avdurramanin dha një dënim prej 18 muajsh burgim.

Në maj 2025, pas ankimit të mbrojtjes, Apeli e ndryshoi vendimin e shkallës së parë dhe i shpalli të dy të pafajshëm.

Prokuroria e kundërshtoi pafajësinë dhe bëri rekurs në Gjykatën e Lartë. Pas vendimit të 24 nëntorit, i takon trupës së re të Apelit të shqyrtojë sërish akuzën dhe të shprehet mbi të.