
Moderatorja Sonila Meço reaguar e pikëlluar për ndarjen nga jetë ta mikesës së saj të zemrës, regjisores dhe producentes së njohur shqiptare Vjosa Berisha.
Mes dhimbjes së madhe Sonila Meço vë në dukje shpirtin e saj të pastër dhe momentet që kanë kaluar bashkë.
Postimi i plotë:
Vërsho Vjosë parajsës!
Disa lloj trishtimesh përshkohen nga një damar më i hidhur se të tjerët.
Dhe ti veç n’at’ shpërthim të helmatisur dhimbjeje kupton sa rëndësi paska pas në formimin tënd njohja dhe miqësia me një NJERI.
Se nuk është veç zemra, që e ka ditur prej kohësh vendin, që i ka rezervu, por në shuarjen e vet ti dallon hapësirat dhe qoshkat e errëta, që le në ndëgjegjen e shpirtin tënd kjo ikje.
Dhe Vjosa në ikjen prej kësaj bote, teksa po ndriçon me gazmendin e një shpirti t’bukur mbiqiellin, na ka kredh në trishtimin e një nënqielli të muzgët ne miqtë, të njohurit dhe adhuruesit e saj.
Kush e njohu Vjosën qe me fat, kush nuk mundi po i them se kanë humbur një nga mundësitë e arta për të njohur njeriun, që diti ta shtrydhë mjeshtërisht çdo dekikë dashnie e lirie nga kjo jetë.
Vjosa është “Parku Kombëtar” i energjisë, mençurisë, lirisë, mendjes së hapur, kulturës, sakrificës, rezistencës, vullnetit, empatisë, durimit, shpirtgjerësisë…dhe duhet mbrojtur nga kujtesa jonë si ujët e paktë kristal që vërshuan këtyre viseve.
E paç t’paqtë udhëtimin e shpirtit dhe piko shpesh e ma shpesh nga shpirti yt prej s’lartmi mbi thatësirën shpirtërore e kulturore që na ka rreshk!
T’kam njohur kur ende nuk i kisha hyrë jetës thellë e i pluskoja në sipërfaqen e kollajtë, më frymëzove, më njohe me Prishtinën lume, Fatosin brilant, Lekën e mençur, PriFestin, stilin, me betejat thelbësore të jetës e si duhen përballuar, me kancerin e kimioterapinë, feminilitetin pas qethjes së plotë të kokës, stërvitjen, udhëtimet dhe mbi të gjitha me manualin e të qenurit mike për bè.
T’puth syun Vjosë e Prishtinës!
P.S Sot do ta shoh e rishoh intervistën me Vjosën, kuruar me kujdesin e Kozeta Kurtit në Tempora. Dhe në e paçi dhimbjen si unë për humbjen e saj, njohjen si imja për shijet e saj, sot dilni në një klub mbrëmjes, pini një gotë verë të kuqe dhe në kthim ecni në këmbë Tiranës dhe jam e bindur se një pendë e bardhë do t’ju bjerë mbi supe e do t’ju bëjë të qeshni fort…aq fort sa të kuptoni rëndësinë e të “shtrydhurit” mjeshtërisht çdo dekikë jete…kjo qe mjeshtëria e engjëllit më të ri në parajsë
