“O sot o kurrë” / Koçeku nga protesta: PS-ja ka nevojë për dialog e zëra kritikë, ta mbështesin këtë protestë

TIRANË — Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka shprehur sot mbështetjen e saj të plotë
për protestën e studentëve dhe gjimnazistëve, duke e cilësuar atë si një shprehje jetike
dhe domosdoshmëri për demokracinë në vend.
Në një prononcim për televizionin News24, Koçeku hodhi poshtë pretendimet se tubimet
po dëmtojnë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se problemet reale që cenojnë imazhin e vendit janë korrupsioni dhe mungesa e demokracisë.
Sipas deputetes, edhe vetë Partia Socialiste, si forcë politike në pushtet, ka nevojë për reformim, një dialog më të shëndetshëm dhe më shumë zëra kritikë që të mbështesin të drejtën e rinisë për të protestuar.
Lidhur me qëndrimin e saj ndaj protestës dhe veprimeve të policisë, Marjana Koçeku deklaroi:
“Unë asnjë kritikë nuk e marr personale. E mbështes këtë protestë. Është domosdoshmëri për demokracinë tonë. Po ndodh në atë frymë, pasi është paralajmëruar pas katër muajsh protestash paqësore. Akuzat se kjo protestë po dëmton imazhin e Shqipërisë, nuk jam dakord. Partitë politike në Shqipëri kanë nevojë për reformim të thellë. PS-ja ka nevojë për dialog të shëndetshëm dhe ka nevojë për zëra kritikë që e mbështesin këtë protestë. O sot, o kurrë! E dënoj dhunën policore, është kundër të drejtave të njeriut. Aq më tepër kur bëhet fjalë për civilët, veprimet e tyre dhe mungesën e mjeteve të identifikimit. Mbështes këtë protestë të rinisë.”
Koçeku dënoi gjithashtu veprimet e efektivëve civilë të policisë pa mjete identifikimi, duke e cilësuar përdorimin e forcës ndaj protestuesve si shkelje të të drejtave të njeriut.



