LAJME / E Martë 19 Shtator 2023, 00:12

Zyrtare/ Rikthehen lojërat e fatit në Shqipëri

Është miratur në komisionin e ligjeve ligji për lojërat e fatit më 12 vota pro, 4 kundër dhe 1 apstenim

Një ndër personat që ishte më shumë kundër ishte Asllan Dogjani i cili u shpreh:

“Një nga armët më të forta që Rama erdhi në pushtet ishte mbyllja e kazinove, e kafeneve, që përdoreshin për të luajtur bixhoz. Të them të drejtën e kam vlerësuar si një nismë shumë me rëndësi, pasi plagët sociale, nga ato lojërat e fatit të vitit 2013 kishin krijuar probleme më shoqërinë shqiptare.

Ai arriti deri aty sa t’u thoshte nënave shqiptare se; ‘pagën e burrave do jua sjellim në shtëpi’. E kam vlerësuar si nismë shumë të mirë, pasi pasojat ishin të jashtëzakonshme, ishte rritur numri i vrasjeve, vjedhjeve, borxheve, sherreve, por këto lojëra fati na paskan vazhduar deri në 2018-ën. Deri në 2018 u ndërprenë.

Por pas këtij viti rezulton se 4 mijë individë apo kompani paskan punuar në të zezë. Por çfarë ndryshoi që po tentoni që t’i hapni bastet online? A nuk i shkatërron rininë këto baste? Ne kemi pasur dhe një studim nga Universiteti i Tiranës mbi plagët që ka lënë të të rinjtë këto baste.

Këto baste deri dje, kanë qenë fizikisht, edhe te dera e pallatit. Sot i keni futur në çdo derë, në çdo familje shqiptare përmes telefonit. Nga krevati, nga dhoma e gjumit, nga kuzhina, çdo qytetar mund të vërë bast përmes telefonit. E morët nga rruga dhe e futët në shtëpi. Kjo qeveri ka dështuar në parandalimin e këtij fenomeni.”