LAJME / E Premte 23 Maj 2025, 11:11

Vrasja e Martin Canit, i ati i të plagosurit Luis Meçe përplaset me prokuroren: “Ju po flini mbi dosje”!

Gjashtë muaj pas aktit makabër të vrasjes së Martin Canit, në Gjykatën e Tiranës thirren për të dëshmuar fëmijë që kanë dijeni për ngjarjen.

Edhe pse ai moment fatal për jetën e Martinit, që tronditi mbarë opinionin publik, ende mbart shumë pikëpyetje për sa iu përket hetimeve, jo vetëm nga ana e policisë por edhe e prokurorisë, dje prokurorja e çështjes është përplasur në sallën e gjyqit me të atin e të mbijetuarit. Ajo i është përgjigjur me ironi therëse akuzës, që ai iu bëri në sallën e gjyqit duke iu thënë se po flinin mbi dosjen e ngjarjes së rëndë. Por prokurorja është “hakmarrë” duke iu kthyer që edhe në momentin kur fëmijët ka gjasa të jenë përplasur një natë para ngjarjes në rrjete sociale, prindërit kanë qenë duke fjetur.

Ky moment ka acaruar së tepërmi të atin e Luis Meçes, 14-vjeçarit të plagosur në atë ngjarje, i cili ka reaguar ashpër, por është ndërhyrë duke e nxjerrë jashtë sallës së gjyqit. Në fakt, në lidhje me atë krim të rëndë ende nuk është zbardhur tërësisht jo vetëm shkaku fillestar që çoi në agravimin e situatës mes të miturve, por as një mori faktesh të tjera.

Dyshimet se në ngjarje mori pjesë edhe një person tjetër, që autori i krimit, nuk u largua i vetëm nga vendi i ngjarjes, që ende nuk është mësuar nga mjekoligjorët se sa thika janë përdorur në krim, teksa kujtojmë se u vra Martini me disa goditje dhe u plagos Luisi po me disa goditje thike. Megjithatë, gjyqi vijon dhe madje priten edhe fëmijë të tjerë për të dëshmuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të mesditës së 18 nëntorit të vitit të kaluar.

Në gjyqin që u zhvillua ditën e djeshme janë pyetur 5 të mitur në cilësinë e dëshmitarëve për vrasjen e të miturit pas një sherri nga bashkëmoshatari M. P.. Ka qenë një deklaratë e prokurores së çështjes mbi dinamikën e përplasjes mes të miturve që shkaktoi irritimin e babait të të plagosurit Luis Meçe, i cili u shpreh se, “ju po flini çdo ditë mbi dosjen”.

Pas ngjarjes pati dyshime për mosparandalimin e krimit, për të cilin shkolla kishte dijeni, si dhe praninë e një bashkëpunëtori të dytë, por që hetimet nuk e provuan dot. Të miturit u pyetën në prezencë të psikologes dhe prindërve lidhur me dinamikën e ngjarjes. Seanca radhës u la më 28 maj, në orën 10:15, ku do të pyetën 8 dëshmitarë të tjerë, të mitur. Në seancë ka pasur debate midis palëve, ku prokurorja Alma Felaj është përballur me pakënaqësinë e prindërve të të plagosurit 14- vjeçar lidhur me hetimet, ku babai i tij u detyrua nga gjykata të dalë nga salla.

Debati është krijuar kur po flitej për ditën para ngjarjes, ku të miturit e sulmuar kishin qenë duke luajtur futboll në Kavajë (ishin pjesë e akademisë së të rinjve të Dinamos), dhe janë shoqëruar nga prindërit e të plagosurit në kthim. Në sallë është folur për mundësinë që të miturit të kenë debatuar në telefon në mbrëmje me palën tjetër dhe prokurorja ka artikuluar se “mbase prindërit kanë qenë në gjumë”. Kjo ka nxitur reagimin e babait të të plagosurit, i cili i është drejtuar prokurores me fjalët “Ju po flini gjumë me dosjen, ne na zien zemra çdo ditë!”.

Më 4 prill Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga avokati i autorit, i dyshuar për vrasjen e të riut Martin Cani, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tij. Më 27 mars, Gjykata e Tiranës kaloi për gjykim dosjen. Për shkak të moshës së mitur, seanca paraprake u zhvillua me dyer të mbyllura, siç u vendos të mbahen edhe seancat gjatë gjithë procesit, ndërsa shoku i plagosur i Martinit tha se pret të vihet drejtësia. Krimi i rëndë ndodhi ditën e 18 nëntorit në kryeqytet, pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, pas orës së mësimit./Gazeta Panorama , do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE