LAJME / E Martë 16 Janar 2024, 01:01

Vrasja e bosit të mafias greke, autorët qëlluan 97 plumba

Ekzekutimi, larje hesapesh mes grupeve kriminale

97 plumba qëlluan autorët për të vrarë 44-vjeçarin Vangjelis Zabunis, një ndër eksponentët më të rëndësishëm të mafias greke.

Hetimet e deritanishme flasin për një larje hesapesh mes grupeve kriminale greke që kanë lidhje me kontrabandën e karburanteve.

Pavarësisht se më parë ai u kishte shpëtuar dy atentateve të tjera, 44-vjeçari në mënyrë të pashpjegueshme për hetuesit grek, ditën e ekzekutimit nuk kishte shoqërues të armatosur.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës në rrugën “Ilia Iliu” në Athinë dhe siç shihet në pamjet e atentatit të publikuara nga mediat greke, 44-vjeçari i veshur sportiv hipën në makinën e tij, një BMW e blinduar dhe vetëm pak sekonda më pas aty afrohet një makinë tjetër tip Leksus, e vjedhur në Milano.

Prej saj dalin dy persona të maskuar dhe të veshur me të zeza, njëri prej të cilëve afrohet në xhamin në krahun e shoferit dhe nis të qëllojë me kallashnikov deri sa i mbaron karikatori.

Por nuk përfundon me kaq, ai vendos një karikator të ri dhe nis të qëllojë sërish mbi xhamin e blinduar të shoferit.

Pas tij në lojë hynë edhe autori tjetër, i cili nis të qëllojë në krahun tjetër të makinës, teksa Zabunis tashmë duket se kishte vdekur.

Por për t’u siguruar për këtë vrasësi që vepronte nga ana e shoferit nxjerr një pistoletë nga brezi dhe hap derën e makinës dhe e qëllon disa herë në kokë 44-vjeçarin.

Automjeti i autorëve u gjet pak orë më vonë i djegur në periferi të Athinës, ndërsa brenda saj policia gjeti edhe 2 kallashnikov dhe një pistoletë që besohet se janë përdorur në ngjarje.

Ndërkohë që viktimës me vete iu gjet një pistoletë tip Glok, ndërsa në bagazhin e makinës së tij policia gjeti edhe një kallashnikov.