
Më pak se 24 orë para zhvillimit të tij, Lëvizja Vetëvendosje është bërë kishe po e përkrah “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
Në reagimin e tyre në Facebook, nga partia që drejtohet nga Albin Kurti, janë fokusuar më shumë në sulmet ndaj atyre që e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale, sesa për arsyen se pse është thirrur ky marsh.
“Mbështetje ‘Marshit për Liri’ – ata që themeluan Gjykatën Speciale duhet t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar”, kështu nis reagimi i Vetëvendosjes.
“Marshi për Liri” është thirrur në mbështetje të katërshes së UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit – katër ditë para 16 shtatorit, ditës kur Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale, do të shpall aktgjykimin ndaj tyre.
Por, Vetëvendosja ka shtuar edhe disa arsye të tjera. Ata kanë thënë se më 12 shtator, “marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”.
Partia në pushtet tha se ata që e votuan Specialen, “duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”.
Postimi i plotë i Vetëvendosjes:
Mbështetje “Marshit për Liri” – ata që themeluan Gjykatën Speciale duhet t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet Marshin për Liri, që mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
Themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ka qenë dëmi më i madh që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.
Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj. Me krijimin e saj, Kosova pranoi një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim të drejtuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Parimi i barazisë para ligjit u flijua dhe njëra palë e luftës u veçua për ndjekje. Jashtë këtij gjykimi mbeti shteti serb, me drejtuesit politikë, ushtrinë, policinë, burgjet, varrezat masive dhe gjithë makinërinë që kreu gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë.
Zanafilla e kësaj gjykate ishte politike dhe antishqiptare. Më 15 prill 2008, deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe deputeti serb Millosh Aligrudiq u vunë në krye të nismës në Këshillin e Evropës, prej së cilës doli raporti i Dick Martyt. Pretendimi për trafikim organesh e vuri në lëvizje gjithë mekanizmin, megjithëse sot mungon në aktakuzën ndaj drejtuesve të UÇK-së. Akuza e bujshme atëbotë e kreu qëllimin e saj politik e vendosi luftën çlirimtare nën dyshim dhe hapi rrugën për krijimin e një gjykate të posaçme.
Qytetarëve por veçanërisht Deputetëve të Kosovës iu tha se, po të mos e miratonte Kosova themelimin e gjykatës, Rusia do ta ngrinte gjykatën në Këshillin e Sigurimit. Rusia nuk mund ta merrte e vetme një vendim të tillë. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kishin mundësi ta pengonin. Frika prej Rusisë u përdor që Kosova ta miratonte vetë nismën e nisur nga përfaqësuesit rusë e serbë.
Dëmi është i thellë. Kushtetuta u ndryshua nën trysni. Sovraniteti i Kosovës shërbeu si mbulesë juridike për një gjykatë të vendosur dhe të drejtuar jashtë vendit. Paraburgimi shumëvjeçar është kthyer në dënim para aktgjykimit. Të akuzuarit mbahen larg familjeve dhe atdheut, ndërsa prezumimi i pafajësisë po zbrazet çdo ditë nga kuptimi. Të gjitha këto janë ditur dhe paralajmëruar me kohë, pra që para 12 vitesh.
Edhe më i rëndë është dëmi ndaj së vërtetës historike. Drejtuesit e qëndresës, pra Shtabi i UÇK-së është vendosur në bankën e të akuzuarve, ndërsa shteti që kreu masakrat, dëbimet dhe zhdukjet me dhunë vazhdon t’i mohojë krimet, t’i lartësojë kriminelët dhe t’i strehojë të kërkuarit. Drejtësia e veçantë për çlirimtarin dhe pandëshkueshmëria për pushtuesin e shtrembërojnë historinë dhe e thellojnë padrejtësinë.
Përgjegjësia penale është individuale. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Gjykata e ndërtuar mbi përzgjedhjen etnike i cenon të dyja këto parime.
Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.
Më 12 shtator marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare.
