
Pas ditëve me temperatura të larta, moti pritet të ndryshojë ndjeshëm gjatë fundjavës. Reshjet do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonat malore nuk përjashtohen shtrëngatat, shkarkesat elektrike dhe breshëri.
Moti pritet të pësojë një ndryshim të dukshëm gjatë fundjavës, me shtim të vranësirave dhe rikthim të reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas sinoptikanes Eneida Doçi, ndryshimi i situatës meteorologjike nis që sot, me shtim të vranësirave gjatë orëve të pasdites, kryesisht në veri dhe në zonat perëndimore përgjatë relievit malor. Reshjet pritet të jenë lokale dhe afatshkurtra, ndërsa gjatë mbrëmjes vranësirat do të shtohen në të gjithë vendin.
E shtuna sjell reshje dhe shtrëngata
Ditën e shtunë priten alternime të kthjellimeve me vranësira mesatare dhe të dendura. Reshjet e shiut do të jenë të pranishme që në orët e para të ditës dhe do të vijojnë gjatë gjithë ditës në zona të ndryshme të vendit.
Në zonat lindore reshjet mund të shoqërohen herë pas here me shtrëngata dhe shkarkesa elektrike. Në relievet malore nuk përjashtohet mundësia e breshërit.
Era gjithashtu pritet të forcohet gjatë fundjavës, me shpejtësi rreth 8 m/s dhe, në intervale të caktuara, deri në 16 m/s në relievet malore dhe përgjatë bregdetit.
E diela, mot i paqëndrueshëm dhe rënie temperaturash
Edhe dita e diel pritet të jetë e paqëndrueshme. Sipas parashikimeve, reshjet do të jenë më të pranishme në jug të vendit, ndërsa temperaturat do të pësojnë një rënie të mëtejshme dhe të përkohshme.
Në zonat malore temperaturat pritet të luhaten nga 12 deri në 30 gradë, ndërsa në zonat e ulëta temperaturat do të variojnë nga 19 deri në 34 gradë. Për zonat bregdetare parashikohet një interval nga 22 deri në 34 gradë.
Nga e diela, temperaturat pritet të zbresin më tej, duke shënuar një ndryshim të ndjeshëm krahasuar me ditët e fundit.
Përmirësim i përkohshëm të hënën
Sipas sinoptikanes, gjatë ditës së hënë pritet një përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike dhe mot më i qëndrueshëm.
Megjithatë, kjo situatë nuk do të zgjasë shumë. Nga dita e martë pritet një tjetër përkeqësim i kushteve meteorologjike, me rikthim të paqëndrueshmërisë atmosferike.
Ekspertët këshillojnë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që do të udhëtojnë gjatë fundjavës të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat malore dhe përgjatë bregdetit, ku era mund të jetë më e fortë dhe kushtet atmosferike më të paqëndrueshme.
