LAJME / E Premte 18 Shtator 2026, 17:05

Vendimi i ri, çfarë ndodh me pronën nëse Kadastra nuk gjen poseduesin

Qeveria ka përcaktuar një procedurë të re për rastet kur Agjencia Shtetërore e Kadastrës evidenton një objekt pa titull pronësie, truall funksional ose oborr në përdorim, por nuk arrin të identifikojë personin që e posedon.

Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, ASHK-ja duhet të publikojë informacionin për pasurinë në ambientet e njësisë administrative, në drejtorinë vendore të Kadastrës dhe në faqen zyrtare të institucionit.

Njoftimi qëndron i publikuar për 30 ditë, duke i dhënë mundësi personit që e përdor ose pretendon pasurinë të paraqitet pranë Kadastrës.

Nëse poseduesi paraqitet brenda këtij afati dhe ASHK-ja verifikon posedimin në terren, procedura e miratimit të dokumentit të pronësisë vazhdon në emrin e tij. Për objektet me funksion banimi të evidentuara kryesisht nga Kadastra nuk zbatohet tarifa standarde.

Por çfarë ndodh nëse askush nuk paraqitet brenda 30 ditëve?

Vendimi nuk parashikon konfiskimin e pasurisë, kalimin e saj automatikisht në pronësi të shtetit apo humbjen e së drejtës për ta kërkuar më vonë. Pa një posedues të identifikuar, Kadastra nuk mund ta vazhdojë kalimin e pronësisë në emër të një përfituesi.

Personi që paraqitet pas përfundimit të afatit 30-ditor ruan të drejtën për të kërkuar njohjen e pronësisë, por duhet të aplikojë vetë nëpërmjet platformës e-Albania.

Në këtë rast procedura konsiderohet e nisur me kërkesën e qytetarit dhe zbatohet tarifa prej 10 mijë lekësh. Pagesa është e pakthyeshme edhe nëse kërkesa rrëzohet nga ASHK-ja.

Afati 30-ditor, pra, nuk është afat për humbjen e pronës, por ndan procedurën e nisur nga Kadastra nga aplikimi individual me pagesë.

Vendimi përdor termin “posedues” dhe jo domosdoshmërisht “pronar”, pasi bëhet fjalë për objekte dhe sipërfaqe që ende nuk kanë dokument përfundimtar pronësie. /skyweb.al