
Gati 10 vite pas humbjes së jetës së Dorjana Hakës, bashkëshortja e ndjerë e portierit të Partizanit Alban Hoxha, ka nisur procesi në Gjykatën e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm. Ajo humbi jetën në moshën 25 vjeçare gjatë lindjes së djalit në maternitetin “Koço Glozheni”. Sipas prokurorisë shkak i vdekjes së saj në maternitet ishte bërë mjekimi i pakujdesshëm.
Dy mjekët Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, u cilësuan fajtorë nga gjykata e shkallës së parë në vitin 2014 dhe u dënuan me 400 mijë lekë gjobë. Mamaja e Dorjanës Hamide Haka, kërkon të vendoset drejtësia në vend për humbjen e vajzës së saj. Familjarët e Dorjana Hakës, nuk ishin dakort me vendimin e gjykatës dhe çështja ndodhet në “Apel” që prej vitit 2016. Prokuroria në shkallë të parë kishte kërkuar dënimin e mjekëve me 5 vite burg dhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar profesionin. Hamide Haka kërkon nga drejtësia që çështja të mos zvarritet më.
“Vajza ime vdiq për shkak të një mjekeje të paaftë, jo të gjithë janë të paaftë, por ajo ishte me të vërtetë e paaftë. Bëri atë që nuk e bën një student. Një student nuk e bën! Nuk hap një kartelë, kur s’kishte asnjë konsultë. Nuk e di…Dua drejtësi! Ndoshta që prindërit e tjerë të mos vuajnë këtë që po vuaj unë.”
Seanca e të Martës u shty për në datën 15 shkurt për shkak të mos njoftimit të njërit prej të pandehurve. Por kjo nuk është çështja e vetme në gjykatën e Apelit që pret për t’u shqyrtuar dhe që zvarritet kaq gjatë. Në shkallën e dytë të gjyqësorit presin të shqyrtohen 37 mijë e 600 dosje themeli, duke krijuar një stok më të madhe se ai në Gjykatën e Lartë. Stoku u grumbullua kryesisht për shkak të shkarkimit të gjyqtarëve nga vettingu.
