Një tjetër hap i suksesshëm u arrit këtë javë sa i takon përfshirjes së Vjosës në listën e siteve të UNESCO-s.
Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës ka aprovuar dosjen e aplikimit. Pritet që konfirmimi final nga UNESCO të jepet në Sesionin e 37-të të MAB, i cili më do të mbahet në muajin shtator 2025.
Lajmin e konfirmoi Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar — është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës. Dhe asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por vjen pas një pune shumë intensive të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga vizita e parë e Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay në Vjosë në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve të zonave të mbrojtura që ndoqën çdo hap me përkushtim e profesionalizëm. Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është MODELI i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s në shtator të këtij viti për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore si një himn për natyrën dhe për njerëzit”, u shpreh përmes një reagimi Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Departamenti i Shkencave Ekologjike dhe Shkencave të Tokës pranë Programit “Njeriu dhe Biosfera”, njoftoi Komisionin Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) mbi rezultatet e arsyetimit dhe shqyrtimit të hollësishëm të dosjes së nominimit nga Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës në datat 17 – 21 shkurt 2025 në takimin e 31-të të tij. Pas këtij takimi, Komiteti Këshillues rekomandoi që Lugina e Vjosës të aprovohet si Rajon Biosfere.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin , do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE