LAJME / E Diel 27 Gusht 2023, 12:12

Tentuan të ndotin lumin e Borshit me ujëra të zeza, e pësojnë keq dy persona në Sarandë

Një person është arrestuar ndërsa një tjetër është vënë nën hetim nga policia e Himarës nën akuzën e krimit kundër mjedisit.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pollution”, u kap në flagrancë teksa tentonte të derdhte ujëra të zeza, në lumë, me autobotin që drejtonte, dhe u arrestua shtetasi G. Q., 40 vjeç, banues në Sarandë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për ndihmësin e 40-vjeçarit, shtetasin S. K., 44 vjeç, banues në Sarandë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas e kryenin këtë veprimtari kriminale për llogari të një subjekti privat në pronësi të shtetasit S. Ç. Ky shtetas u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua mjeti autobot.