SHOWBIZ / E Shtunë 26 Shtator 2026, 20:08

Blerina Bajko zbulon anën e panjohur të Soni Malaj

Blerina Bajko ka folur për disa prej personazheve që e kanë surprizuar më shumë pasi ka pasur mundësinë t’i njohë përtej imazhit që publiku sheh në ekran.

Në një intervistë për revistën “Bordo”, ajo veçoi Soni Malajn si një prej njohjeve që i kishte ndryshuar perceptimin. Blerina tregoi se më parë e njihte këngëtaren kryesisht përmes skenës dhe karrierës së saj, ndërsa kontakti nga afër i kishte zbuluar një anë tjetër të karakterit të saj.

“Për hir të së vërtetës, Soni ka qenë një zbulim shumë, shumë i bukur. E njihja thjesht si një personazh të showbizit, performuese, po doli dhe një vajzë jashtëzakonisht e qetë, me shumë emocion, që arrin të kuptojë emotivitetin dhe empatinë e të tjerëve”, është shprehur Blerina.

Soni nuk ishte e vetmja që e surprizoi pozitivisht. Gjatë intervistës, Blerina përmendi edhe Jonidën si një tjetër personazh që kishte njohur më mirë gjatë eksperiencës së tyre të përbashkët.

Por një rrëfim ndryshe erdhi kur foli për Sarën. Blerina pranoi se, përpara se ta njihte personalisht, kishte krijuar një perceptim jo fort pozitiv për të.

“Për hir të së vërtetës dhe Sara, sepse kisha një ide shumë me konotacion negativ, le të themi, në fillim, se nuk është se e njihja më përpara dhe rrugëtimi që kemi bërë bashkë ka qenë një zbulim i bukur”, tregoi ajo.

Njohja nga afër duket se ia ka ndryshuar këtë përshtypje, ndërsa Blerina e konsideroi eksperiencën e përbashkët si mundësinë për të zbuluar te disa prej personazheve anë që nuk i kishte njohur më parë vetëm përmes ekranit.