
Regjisori dhe pedagogu Joni Shanaj ka zbuluar në “Kjo Javë” në News24 se ka qenë subjekt i formave të ndryshme presioni dhe kërcënimesh, ndërsa theksoi se ato kanë prekur edhe familjen e tij.
Shanaj tha se ndaj tij janë bërë edhe deklarime që lidhen me kërcënime për jetën, por u shpreh se nuk ndihet i frikësuar dhe se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e tij.
“Kam marrë forma të ndryshme presioni, kërcënimesh. Ka pasur edhe referenca publike për kërcënime ndaj jetës time. Unë nuk kam frikë”, tha ai. Regjisori tregoi se presioni mund të ushtrohet edhe përmes prindërve të tij, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë aktorin dhe pedagogun Mevlan Shanaj dhe nënën e tij Natasha.
“Presioni mund të vijë edhe përmes prindërve të mi.
Dhe kjo është diçka që mund të përdoret për të më goditur mua”, u shpreh Shanaj. Ai tha se prej 12 vitesh është pedagog në Universitetin e Arteve dhe se një nga çështjet për të cilat ka ngritur shqetësime lidhet me projektligjin e ri për kinematografinë. “Unë jam prej 12 vitesh në Universitetin e Arteve, jam pedagog dhe kritik.
Nuk mund të mos flas kur shoh që një ligj që prek drejtpërdrejt fushën ku unë punoj po hartohet pa një konsultim të vërtetë profesional”, tha regjisori. Shanaj pretendoi se procesi i hartimit të projektligjit nuk ka qenë transparent dhe se Shoqata e Kineastëve Shqiptarë nuk është përfshirë sa duhet në konsultime.
Në fund të intervistës, ai kërkoi që institucionet e drejtësisë të hetojnë zhvillimet në sektorin e kinematografisë gjatë viteve të fundit. “BKH dhe SPAK duhet të shohin se çfarë ka ndodhur në kinematografi gjatë këtyre 25 viteve. Korrupsioni nuk është vetëm kur vidhen paratë. Korrupsion është edhe kur humbet meritokracia”, deklaroi Joni Shanaj.
