LAJME / E Enjte 24 Shtator 2026, 23:11

“Takime me agjentët serbë në dhomat e hotel ‘Rogner’?”/ AGSH reagon për deklaratën e Vlora Hysenit

Ish shefja e SHISH, Vlora Hyseni është përfshirë sot në një polemikë me gazetaren Klodiana Lala në hyrjen e ambienteve të GJKKO para se të njihej me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”

E pyetur nga gazetarja Klodiana Lala për lidhjet e saj me Ergys Agasin ajo iu përgjigj: “Klodi si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”

Më pas ish shefja e SHISH nuk iu përgjigj gazetarëve pse e kishte shkarkuar Albin Kurti dhe nëse kishte ndonjë koment për këtë, por u fut në ambientet e GJKKO.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar në një lidhje live gazetarja Klodjana Lala që ë e quajti sulm vulgar, shantazh:

“Ka zgjedhur të kundërsulmojë me gjuhë vulgare ndaj gazetarëve duke i shantazhuar ata për takime në hotele të ndryshme” tha Klodiana Lala në një lidhje live

“Se për cilat takime i referohet Vlora Hyseni, mbetet për t’u sqaruar kur të dalë, por ishte një akuzë e fortë e lëshuar dhe një shantazh ndaj gazetarëve” u shpreh gazetarja Lala.

Ndërkohë për këtë incident në ambientet e GJKKO ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Në reagimin publik, AGSH dënon deklaratat e Hysenit dhe i kërkon asaj që t’i tërheqë menjëherë, ndërsa i bën thirrje SPAK që ta trajtojë me seriozitet episodin.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK, ish-shefes së SHISH Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala”, thuhet në reagim.

Sipas AGSH-së, personat nën hetim duhet të japin llogari përpara drejtësisë, ndërsa presioni apo shantazhi ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohet.

“Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të japë llogari vetëm përpara drejtësisë, ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen”, vijon deklarata.

Asociacioni i kërkon gjithashtu Hysenit të tërheqë deklaratat dhe nxit Strukturën e Posaçme të shqyrtojë rastin.

“AGSH i bën thirrje zonjës Hyseni që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj, ndërsa e nxisim Strukturën e Posaçme që të shikojë me seriozitet këtë episod shantazhi nga ana e saj ndaj një gazetareje”, përfundon reagimi.

Pas AGSH, ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, që shkruan: “Shantazhimi apo ndalimi i gazetarëve në krye të detyrës, përbën jo vetëm akt të dënueshëm, por dëshmojnë një klimë anti lirie për raportim dhe kurajo profesionale

Dy episode të ndodhura sot në jetën publike të kryeqytetit tonë, në Tiranë, rikthejnë në vëmendjen e opinionit publik marrëdhënien problematike mes policisë së shtetit dhe reporterëve në terren.

UGSH shpreh indinjatën ndaj shoqërimit të gazetares Vjolanda Peca e cila raporton për Citizens.al, ndërsa po raportonte protestën që zhvillohej sot në mjedisin para Kuvendit të Shqipërisë, ku ndodheshin qytetarë të tubuar. Shoqërimi i gazetares, ( rast i përsëritur edhe në ditë të mëparshme), sikundër dhe mbajtja e saj e ndaluar, përbën një shkelje dhe cënim të rolit që ka reporteri në krye të detyrës.

UGSH i drejtohet ministrit të Brendshëm Ervin Demo dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Skënder Hita, me kërkesën që ky rast të ndriçohet dhe episode të tilla me reporterët të mos përsëriten.

Kësi rastesh po përfshihen në të gjitha raportet periodike të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që indeksojnë lirinë e raportimit dhe medias në botë dhe rajon.

Episodi i dytë ka të bëjë me akuzën e drejtpërdrejtë në kamerat e shumë mediave të ish zyrtares së akuzuar, ndaj gazetares së News24, Klodiana Lala.

UGSH e konsideron deklaratën e ish drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni drejtuar gazetares Klodiana Lala në kushtet e një të pandehure të pyetur, si shantazh dhe deklarim shqetësues, i cili ekspozon faktin e survejimit të gazetarëve në Shqipëri.

Akuza ndaj gazetares për takime me spiunë serbë, duhet bërë pjesë e një procesi sqarues nga organet e hetimit, për të përjashtuar çdo abuzim apo shantazhim të tillë publik nga zyrtarë apo ish zyrtarë të lartë shtetërorë. Deklarata të tilla mbartin vlerën e një atentati ndaj integritetit të gazetarit edhe kur vijnë nga persona nën akuzë dhe si mbartës të një statusi si ish titullare e shërbimit inteligjent. Si e tillë, kjo deklaratë akuzuese ndaj gazetares, prej ish zyrtares nën hetime dhe akuza për abuzime të rënda, duhet saktësuar dhe ndriçuar me transparencë dhe plotësisht mbi baza ligjore, pa i dhënë hapësirë çdo abuzimi dhe lëndimi të integritetit të koleges”./Top Channel