
Bashkimi Evropian në trevjetorin e sulmit në Banjskë ka rikujtuar se ky ka qenë një kërcënim serioz i sigurisë në rajon dhe ka kërkuar nga Serbia që të veprojë menjëherë për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e sulmi.
Këtë e ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke përsëritur se Serbia nuk i ka ndërmarrë akoma hapat e nevojshëm për të nxjerrë para drejtësisë ata që gjenden në territorin e saj. Po ashtu, ky zëdhënës ka thënë se kjo çështje ishte ngritur edhe në takimin që Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka pasur në New York me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Para tri vitesh, sulmi në Banjskë, më 24 shtator 2023, i kryer nga sulmues serbë të Kosovës, të armatosur, ndaj Policisë së Kosovës, kërcënoi seriozisht sigurinë në rajon. Ky sulm i tmerrshëm mori jetën e një polici dhe la dy të tjerë të plagosur. BE-ja në vazhdimësi ka kërkuar që përgjegjësit për këtë të japin llogari dhe shpreh keqardhje se deri më sot Serbia akoma nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndjekur ata që janë në Serbi me aktakuzat përkatëse”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.
“Ne presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë përmes kanaleve të vendosura të asistencës së ndërsjellë. Çështja është në pritje për kohë të gjatë dhe duhet menjëherë të ndiqet nga Serbia. Përfaqësuesja e Lartë e ka ngritur këtë çështje edhe me Presidentin Vuçiç gjatë takimit të tyre në New York”, tha ai më tej.
