
Në një kohë kur vëmendja është përqendruar te hetimet dhe informacionet që po dalin rreth Ergys Agasit, një postim i faqes “Lolita” në Facebook ka ngritur pikëpyetje edhe për një emër të medias shqiptare.
Faqja publikoi një pretendim sipas të cilit Agasi i kishte blerë një gazetareje një automjet me vlerë 150 mijë euro, pa dhënë emrin e personit për të cilin bëhej fjalë.
“Asaj gazetares që i bleu makinë 150 mijë euro Ergys Agasi, kush do t’ia ndërrojë tani gomat, vaj e filtra? Se i shkojnë shtrenjtë shërbimet Range Roverit”, shkruhej në postim.
Pak më vonë, gazetari Elvi Fundo e ripublikoi shënimin e “Lolita”, duke shtuar vetëm një fjali: “Mos e prek Gridën”.
Ky koment ka bërë që në rrjet të përmendet emri i Grida Dumës, gazetare dhe drejtuese e emisionit “Top Story”. Megjithatë, postimi i Fundos nuk paraqet dokumente apo prova që të vërtetojnë se pretendimi i publikuar nga “Lolita” lidhet me Dumën.
Deri më tani, nga informacionet e paraqitura publikisht në këto postime nuk rezulton të jetë publikuar ndonjë dokument i dosjes hetimore, transaksion financiar apo provë tjetër që të vërtetojë pretendimin se Ergys Agasi i ka blerë një automjet Grida Dumës.
Për këtë arsye, pretendimi mbetet në nivelin e deklaratave të bëra nga faqja “Lolita” dhe gazetari Elvi Fundo dhe nuk mund të paraqitet si fakt i konfirmuar.
