Në një atmosferë të përmbajtur dhe të distancuar nga zhurma mediatike që shoqëron zakonisht përballjet me Serbinë, kombëtarja shqiptare është grumbulluar zyrtarisht për ndeshjen e 7 qershorit, që do të luhet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Deri atëherë, kuqezinjtë do të ndjekin programin e zakonshëm përgatitor, i fokusuar totalisht tek objektivi i vetëm: fitorja ndaj një rivali të drejtpërdrejtë.
Në konferencën e parë për shtyp, Elseid Hysaj dhe Qazim Laçi ndanë ndjesitë e tyre. Hysaj, një nga më të vjetrit në ekip, kujtoi edhe precedentët e nxehtë të përballjeve me Serbinë, duke aluduar për një situatë që kërkon qetësi dhe përqendrim maksimal.
Ndërkohë, Laçi, tashmë një figurë e konsoliduar në formacionin e Sylvinhos falë rolit të tij ekuilibrues në mesfushë, do të përjetojë për herë të parë këtë sfidë, por me qetësi dhe profesionalizëm.
Kristjan Asllani u bashkua me ekipin së fundmi për shkak të angazhimit në finalen e Champions League me Interin. Pjesa tjetër e skuadrës ka zhvilluar një mini-fazë përgatitore në Durrës javën e kaluar dhe tashmë janë rikthyer në stërvitje të plotë në Shtëpinë e Futbollit.
Stërvitjet po zhvillohen me dyer të mbyllura, përveç disa minutave të hapura për mediat gjatë nxehjes. Sylvinho ka urdhëruar që pjesa tjetër e seancave të mbahet plotësisht konfidenciale, duke treguar rëndësinë e kësaj përballjeje që konsiderohet si ndeshja më vendimtare e këtij cikli.
Interesi për ndeshjen ka qenë i jashtëzakonshëm: mbi 200.000 kërkesa për bileta janë regjistruar, duke e bërë të pamundur pajisjen me to për një pjesë të madhe të tifozëve. Kombëtarja po përgatitet në qetësi, me besim dhe përqendrim maksimal, për të shkruar një tjetër faqe historike më 7 qershor në Tiranë do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE