Një sulm i sofistikuar ukrainas tronditi strukturat ushtarake të Rusisë, duke shkatërruar një të tretën e bombarduesve të saj strategjikë në një operacion të koduar “Rrjeta e Merimangës”. Moska fajëson për sulmin një ish-DJ ukrainas, tashmë i shpallur në kërkim si spiun dhe organizator kryesor i sulmit më të madh brenda territorit rus.
Operacioni i ndodhur të dielën e 1 qershorit, u zhvillua në katër baza ajrore, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale për Kremlinin. I akuzuari kryesor është Artem Timofeev, 37 vjeç, një ukrainas i zhvendosur prej vitesh në qytetin rus të Chelyabinsk, i cili dyshohet se ka përdorur biznesin e tij të transportit për të fshehur dronët kamikazë brenda kamionëve.
Sipas mediave ndërkombëtare dhe burimeve pro-Kremlinit, shoferët që po kryenin transportin nuk ishin në dijeni të dronëve që po transportonin. Kamionët përmbanin dhjetëra dronë të telekomanduar, të cilët u lëshuan në mënyrë të koordinuar në afërsi të bazave ajrore strategjike ruse.
Sulmi shkatërroi 41 bombardues, një të tretën e flotës ajrore bërthamore të Putinit dhe i shkaktoi Rusisë humbje të vlerësuara në 7 miliardë dollarë. Hetuesit rusë pretendojnë se Artemi dhe bashkëshortja e tij, Ekaterina Timofeeva, një autore romanesh erotike, janë të lidhur me operacionin dhe kanë ndihmuar në organizimin e logjistikës.
Imazhet satelitore pas sulmit konfirmojnë shkatërrimin e mjeteve ajrore në baza si ajo në Belaya, ku shoferët u urdhëruan të parkonin në pika strategjike dhe më pas të largoheshin. Nga aty, dronët u ngritën në qiell dhe filmuan vetë momentin e goditjeve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi operacionin si “historik” dhe deklaroi se të gjithë personat e përfshirë janë tashmë të sigurt, duke shtuar se sulmi ishte rezultat i 18 muajsh planifikimi të fshehtë.
Ndërkohë, Rusia nuk ka konfirmuar arrestime zyrtare, por kërkimi për Artemin vazhdon, ndërsa mbetet i paqartë vendndodhja e tij aktuale. Operacioni “Rrjeta e Merimangës” tregon jo vetëm sofistikimin e strukturave të inteligjencës ukrainase, por edhe cenueshmërinë në rritje të infrastrukturës ushtarake ruse në zemër të territorit të saj do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE