LAJME / E Enjte 3 Shtator 2026, 15:03

“Sheri për më të mirin e historisë u zgjidh”, postimi i Messit ‘tërbon’ fansat e Ronaldos (Video)

“Debati për më të mirin e të gjitha kohërave u zgjidh”. Ka mjaftuar kjo frazë në një postim të Lionel Messit për të rikthyer në rrjetet sociale një prej debateve më të mëdha të futbollit: Messi apo Cristiano Ronaldo?

Ylli argjentinas publikoi një postim ku renditen arritjet e tij me kombëtaren e Argjentinës, të paraqitura në formën e një “fature”. Në të përfshihen golat, asistet, minutat e luajtura dhe trofetë e fituar gjatë karrierës së tij ndërkombëtare.

Megjithatë, më shumë sesa statistikat, vëmendjen e mori mesazhi “Debati për më të mirin e të gjitha kohërave u zgjidh”, i cili nxiti menjëherë reagime dhe diskutime në internet.

Mbështetësit e Messit kanë risjellë si argument sukseset e tij me Argjentinën, mes tyre triumfin në Kupën e Botës 2022, titujt në Copa America, medaljen e artë olimpike dhe Finalissima.

Nga ana tjetër, tifozë të Cristiano Ronaldos e kanë interpretuar mesazhin si një thumbim ndaj portugezit, ndonëse emri i tij nuk përmendet në postim.

Reagimet kanë rikthyer përplasjen e zakonshme mes dy kampeve, me tifozët që kanë nxjerrë sërish në pah statistikat, rekordet individuale dhe trofetë e dy futbollistëve për të mbështetur argumentet e tyre.
Pavarësisht mesazhit të postimit, debati se cili prej Messit dhe Ronaldos meriton të konsiderohet më i miri i historisë mbetet një çështje vlerësimi mes tifozëve të futbollit.