LAJME / E Enjte 3 Shtator 2026, 10:10

Burrat e fisit Bardhi po iu merret jeta një nga një

Një mëngjes i përgjakshëm ka nisur këtë të enjte në Mirditë, ku një tjetër ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur zonën. Viktor Bardhi është qëlluar me armë zjarri në Ndërfushas të Mirditës, duke mbetur i vrarë në vend.

Sipas të dhënave paraprake, ndaj tij është qëlluar me breshëri plumbash, ndërsa në zonën e Munazit është gjetur edhe një automjet i djegur, i cili dyshohet se mund t’u përkasë autorëve të ngjarjes.

Viktor Bardhi nuk është një emër i panjohur në historikun e përplasjeve të përgjakshme që kanë shoqëruar prej vitesh zonën e Mirditës. Ai është vëllai i Martin Bardhit, i ekzekutuar në shtator të vitit 2023 në qendër të Rrëshenit.

Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku po kryhen veprimet e para hetimore, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ekzekutimit.

Pista e hakmarrjes pritet të jetë një nga drejtimet kryesore të hetimit, duke pasur parasysh historikun e përplasjeve dhe vrasjeve të njëpasnjëshme që kanë tronditur prej vitesh Mirditën.

Burrat e fisit Bardhi po vriten një nga një, ekzekutohet me
Auomjeti i djegur i cili dyshohet se u perket autoreve
Vrasja e Martin Bardhit, shtatori i vitit 2023

Më 26 shtator 2023, Rrësheni u trondit nga një tjetër ekzekutim. Martin Bardhi, 62 vjeç, u qëllua me breshëri plumbash ndërsa ndodhej në një lokal në qendër të qytetit, vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë.

Dy persona dyshohet se hapën zjarr ndaj tavolinës ku ndodhej Bardhi dhe personat e tjerë. Përveç Martin Bardhit, nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Ilir Bardhoku, Olti Gjini dhe Indrit Bardhi.

Vrasja ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, duke e kthyer ngjarjen në një prej atentateve më të bujshme kriminale të viteve të fundit në Rrëshen.

Në atë kohë, hetuesit ngritën dyshimet për një konflikt të vjetër mes familjeve Bardhi dhe Reçi, ndërsa disa pjesëtarë të familjes Reçi u shoqëruan për t’u marrë në pyetje.

Saga e përplasjeve do të merrte një tjetër kthesë më 14 janar 2025, kur Kristian Marku, i njohur edhe si Kristian Bardhi, u ekzekutua në zonën e Novoselës.

Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, 30-vjeçari ishte duke udhëtuar në drejtim të Vlorës kur dyshohet se u ndoq nga autorët dhe u qëllua me breshëri plumbash në mbikalimin e Novoselës.

Kristian Marku ose Kristian Bardhi, ishte nipi i Martin Bardhit, të vrarë në Rrëshen në shtator të vitit 2023. Për këtë arsye, pista e hakmarrjes u konsiderua nga grupi hetimor si një prej drejtimeve kryesore të hetimit.

Në kuadër të hetimeve, policia kreu kontrolle edhe në banesat e familjes Reçi dhe shoqëroi disa prej pjesëtarëve të saj, të cilët u morën në pyetje lidhur me ngjarjen. Ata mohuan përfshirjen në ekzekutim dhe më pas u lanë të lirë.

Përplasjet mes familjeve Reçi dhe Bardhi në Mirditë janë raportuar prej vitesh dhe, sipas kronikave të kohës, zanafilla e konfliktit shkon pas viteve 1990.

Një prej episodeve më të hershme të përmendura në këtë histori lidhet me vitin 1995, kur përplasja mes pjesëtarëve të dy familjeve mori një kthesë tragjike.

Sipas të dhënave të bëra publike ndër vite, Ilir Reçi i konsideruar në atë kohë një prej personazheve të forta të Rrëshenit dhe kushëri i Kastriot Reçit, ishte përfshirë në konflikt me pjesëtarë të familjes Bardhi. Përplasja kulmoi me vrasjen e Ilir Reçit në qendër të Rrëshenit. Sipas kronikave, autori i dyshuar ishte Pjetër Bardhi, i cili në atë kohë ishte oficer ushtrie.

Pas kësaj ngjarjeje, dy familjet për një periudhë të gjatë nuk patën përplasje të hapura, por konflikti i vjetër do të rikthehej dekada më vonë.

Më 26 mars 2023, Rrësheni u përballe me një tjetër ngjarje. Saimir Reçi u qëllua me armë, por arriti t’u shpëtonte plumbave. Sipas versionit të bërë publik nga policia në atë kohë, ngjarja dyshohej se kishte nisur pas një konflikti të çastit mes Saimir Reçit dhe Enrik Bardhit, pas një parakalimi me automjete në rrugën kryesore të qytetit.

Situata më pas u përshkallëzua. Sipas hetimeve të asaj kohe, Enrik Bardhi shkoi në banesë dhe së bashku me babain e tij, Martin Bardhi, morën një armë zjarri dhe qëlluan në drejtim të automjetit ku ndodhej Saimir Reçi.

Të shtënat u kryen në distancë të afërt, në drejtim të anës së shoferit. Automjeti i blinduar dyshohet se i shpëtoi jetën Saimir Reçit.

Pas ngjarjes, Martin Bardhi u arrestua, ndërsa Enrik Bardhi dhe Kristian Bardhi u shpallën në kërkim. Babë e bir u akuzuan për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim të mbetur në tentativë. Vetëm disa muaj më vonë, Martin Bardhi do të përfundonte vetë viktimë e një atentati.