
Detaje të reja janë bërë publike për Erin Piacenti, 32-vjeçaren që humbi jetën në sulmin me thikë në Times Square, New York.
Erin ishte zv/presidente në Bank of America, por për familjen dhe miqtë e saj ajo ishte mbi të gjitha bashkëshorte dhe nënë e një vajze vetëm pesë muajshe.
Familja e përshkruan 32-vjeçaren si një grua të përkushtuar ndaj njerëzve të saj të afërt, të zonjën në profesion dhe me një energji që e sillte edhe te personat përreth.“Jeta e Erin nuk u përcaktua nga rrethanat e vdekjes së saj, por nga mënyra se si ajo e jetoi atë”, u shpreh familja në një deklaratë.
Erin dhe bashkëshorti i saj, Frank Piacenti, ishin njohur në Fordham University Law School. Të dy vijuan më pas karrierat e tyre në fushën e ligjit dhe biznesit.
Çifti u martua më 10 gusht 2024 dhe një vit më parë kishte blerë shtëpinë e tyre të parë në Chester, New Jersey. Ata po ndërtonin jetën familjare dhe sapo kishin mirëpritur vajzën e tyre, Madison.
“Bërja nënë ishte dëshira më e madhe e jetës së saj dhe Madison i dha gëzimin më të madh të mundshëm”, thuhet në faqen e fushatës së mbledhjes së fondeve të krijuar për të ardhmen e vajzës.
Familja ka hapur një fond për Madison, me synimin që ajo të ketë mbështetje financiare ndërsa rritet pa nënën e saj. Të afërmit u kanë bërë thirrje personave që dëshirojnë të nderojnë kujtimin e Erin të kontribuojnë për të ardhmen e vajzës.Në Bank of America, ku Piacenti kishte punuar për rreth 18 muaj si zv/presidente në grupin e përzgjedhjes së biznesit dhe konflikteve, kolegët e kujtojnë si një profesioniste të aftë dhe të dashur. Edhe banka shprehu dhimbjen për humbjen e saj, duke e cilësuar si një kolege dhe mike të çmuar.
Sipas familjes, Erin dhe Frank po përgatiteshin të ndërtonin një jetë së bashku me vajzën e tyre. “Ajo jetë ndryshoi në mënyrë të paimagjinueshme në një çast”, thuhet në deklaratën e familjes.
Erin Piacenti humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë sulmit në Times Square. Sipas autoriteteve, për ngjarjen dyshohet Pamela Cisneros, 49 vjeçe, nënë e tre fëmijëve nga Queens, e cila kishte pasur probleme kronike të shëndetit mendor.
Në të njëjtin sulm u plagos rëndë edhe Tak Kam, 68 vjeç, nga Rhode Island.
Cisneros u qëllua për vdekje nga efektivët e policisë së New York-ut pasi, sipas autoriteteve, tentoi t’i sulmonte ata me nga një thikë në secilën dorë.
Erin la pas bashkëshortin dhe vajzën e saj pesë muajshe. Për familjen, kujtimi i saj do të lidhet me jetën që ndërtoi, dashurinë për njerëzit e saj dhe gëzimin që i solli lindja e Madison, e cila do të rritet duke njohur nënën e saj përmes kujtimeve të familjes dhe miqve.
