
Takimi i mbajtur në Berat lidhur me reformën e re territoriale është shoqëruar me tensione dhe debate mes kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj, si dhe me aktoren Egla Ceno. Propozimi për shkrirjen e disa bashkive dhe bashkimin e tyre me njësitë fqinje ka nxitur reagime të forta nga përfaqësuesit dhe qytetarët e pranishëm.
Në një prononcim për mediat pas ngjarjes, aktorja Egla Ceno deklaroi se një grup përfaqësuesish nga Poliçani kishin ardhur në dëgjesë për të shprehur qëndrimin e qytetit të tyre. Sipas saj, pasi folën vetëm dy qytetarë, ndërhyrja e kryeministrit bëri që të ndërpritej dhënia e fjalës për pjesëmarrësit e tjerë që kërkonin të replikonin.
Ceno sqaroi se i është drejtuar kreut të qeverisë duke e pyetur se kur do të dëgjoheshin qytetarët, por pas kësaj kërkese, Rama urdhëroi nxjerrjen e saj nga salla dhe bëri të ditur ndërprerjen e mbledhjes deri në largimin e aktores.
Pas këtij vendimi, aktorja theksoi se të gjithë përfaqësuesit e komunitetit të Poliçanit u solidarizuan me të dhe u larguan nga salla, ndërsa mohoi të ketë patur provokime nga ana e tyre gjatë zhvillimit të takimit.
Egla Ceno rrëfen përplasjen me Ramën në Berat: Doja vetëm të flisja, ai u çua i irrituar dhe më tha; Dil jashtë…
Takimi i Kryeministrit Rama në Berat është shoqëruar me debate të ashpra mes tij dhe një përfaqësie qytetarësh, të ardhur nga qytetit i Poliçanit, mes tyre edhe aktorja Egla Ceno.
Ceno: Rama më kërkoi të dilja jashtë!
Ceno tregoi se Rama i kishte kërkuar të dilte jashtë nga salla, ndërsa pas daljes së saj edhe anëtarët e tjerë e kishin braktisur dëgjesën dhe ishin bashkuar me të.
“Ishim një grup përfaqësuesish nga Poliçani për të bërë një dëgjesë për Territorialen. Poliçani është një qytet që e ka shprehur shumë herë mendimin e tij. Ministri Demo u dha fjalën qytetarëve, folën vetëm 2 prej tyre.
Pastaj ndërhyri kryeministri dhe tha: “Ok, ok, se nuk jemi në një mbledhje për të dëgjuar sa mirë jetohet në Poliçan”, dhe fillon një fjalim që kishte pyetje, kishte përgjigje vetë, kishte djem nga salla që ngrinin dorën për të replikuar, po asnjë nuk u lejua të flasë.
Kur ishte drejt fundit i thashë: “A mund të flasim, a do na dëgjoni?”.
Më tha: “Dil jashtë”. “Po mo”, i thashë, “dal edhe jashtë”, por më thanë që kemi ardhur sepse kryeministri do na dëgjojë zërin. “Dil jashtë”, tha. Dhe unë i thashë të lutem, i thashë. “Jo, mos m’u drejto kështu.”
U çua shumë i irrituar dhe tha: “Ndërpritet mbledhja derisa të dali zonja jashtë.” Në ato momente, i gjithë komuniteti u bë bashkë me mua dhe dolëm të gjithë jashtë.
Nuk pati as provokime nga ana jonë. Unë vetëm i kërkova të na dëgjonte dhe të flisnim”, u shpreh Egla Ceno.
