LAJME / E Premte 4 Shtator 2026, 18:06

Rama në panik, paralajmëron ditë te zeza, e papritur kërcënon deputetët për …

Kryeministri Edi Rama ka dhënë ditën e djeshme mesazhe të forta për ministrat, deputetët dhe gjithë strukturën qeverisëse, duke paralajmëruar se “kanë ardhur kohë të këqija” për socialistët dhe se askush nuk mund të vazhdojë ta shtyjë më situatën.

Kreu i qeverisë ka pranuar publikisht se qeveria ka dështuar të jetë aty ku qytetarët kanë problemet e tyre konkrete, ndërsa ka kërkuar ndryshim të mënyrës së qeverisjes dhe përballje me të metat e pushtetit.

Paralajmërimi i Ramës vjen bashkë me një mesazh të fortë për ministrat dhe deputetët, të cilët, sipas tij, nuk mund të qëndrojnë në pushtet vetëm përmes justifikimeve apo propagandës. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, kreu i qeverisë, teksa prezantonte sistemet e reja që do t’i dedikohen reformimit të qasjes së shtetit ndaj qytetarëve dhe zgjidhjes së problematikave apo pakënaqësive të tyre, ka pasur edhe një “përplasje” me një nga socialistët në sallë. Konkretisht, teksa Rama ishte duke folur, në sallë një prej të pranishmëve ishte duke qeshur.

Kreu i qeverisë e ka vënë re dhe, duke i tërhequr vëmendjen, deklaroi “Po qesh dikush aty? Kanë ardhur kohë të këqija. Kush mendon që do e shtyjë sa ta shtyjë, do të hajë një të shtyrë që në fund do t’i lutet Zotit kur do bjerë në fund. Nuk shtyhet më kështu. Provimi nuk është vetëm një ekran, por sistem”, tha Rama.

Duke folur për “Pasqyrë Albania”, Rama tha se pushteti nuk duhet të fshihet pas propagandës, takimeve apo bilanceve që paraqesin një realitet më të bukur nga ai që përjetojnë qytetarët. Sipas tij, qeveria duhet të përballet me të metat e veta dhe të tregojë nëse është realisht e aftë të ndryshojë. “Një shtet që nuk mban mend çfarë ka thënë dje, nuk kërkon dot besim sot. Pasqyrë Albania nuk është pasqyrë ku qeveria apo të treja pushtetet, në rast se futen në Pasqyrë, shfaqen bukur para qytetarit.

Është një pasqyrë ku qytetari e sheh qeverinë siç është.”, tha ai. Rama e ka bërë të qartë se problemi nuk zgjidhet duke ndryshuar mënyrën se si paraqitet qeveria, por duke ndryshuar vetë qeverisjen. Dhe këtu qëndron edhe paralajmërimi më i fortë për ata që mbajnë poste publike. “Një qeveri që nuk i duket bukur qytetarit në pasqyrë, duhet të përballet me testin e aftësisë së vet dhe me sfidën që të përmirësojë pamjen e vet dhe jo pasqyrën.

Çfarë ka bërë, çfarë nuk ka bërë akoma, çfarë po ndryshon dhe është në gjendje të japë përgjigje për çfarë pyetet, janë të gjitha barrë e pushtetit.”, theksoi kryeministri. Ai lë të kuptohet se ata që nuk arrijnë të përmirësojnë performancën e tyre nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet vetëm përmes justifikimeve apo propagandës.

“Nëse pasqyra përdoret kundër qeverisë, funksionon. Qeveria nuk duhet të zihet me pasqyrën, por duhet të merret me veten. Nëse nuk është në gjendje të merret me veten, duhet të hapë krahun. Përndryshe nuk është pasqyrë, por billboard reklamash qeveritare.”, shtoi ai.

Kërcënimi ndaj deputetëve për punësimet

Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar në Pallatin e Brigadave paralajmëroi gjithashtu deputetë e Partisë Socialiste, duke i kërcënuar se do të propozojë që ndërhyrjet e tyre për punësimin e personave përmes telefonatave apo mesazheve të konsiderohen vepër penale. “Çdo deputet që do të fusë dikë në punë me telefon do të konsiderohet vepër penale”, deklaroi Rama para deputetëve socialistë, duke shtuar se do t’u kërkojë atyre ta votojnë këtë nismë. “Do ta propozoj këtë dhe do t’ju shoh të gjithëve në sy që ta votoni”, u shpreh kryeministri.

Rama e argumentoi këtë qëndrim me nevojën për të garantuar barazi në aksesin ndaj institucioneve dhe vendeve të punës. Sipas tij, deputetët nuk mund të përdorin funksionin publik për t’u hapur dyer punësimi personave të caktuar përmes njohjeve dhe ndërhyrjeve personale.

“Çdo mesazh i çuar: ‘Fute këtë në punë’, ‘shife një cik atë’, do të konsiderohet vepër penale”, tha Rama. Kryeministri e ashpërsoi më tej mesazhin ndaj deputetëve, duke e lidhur ndërhyrjen për punësime me mënyrën se si ata përfaqësojnë qytetarët. “Sepse një deputet që bën këtë nuk është i denjë që të jetë përfaqësues i atyre që nuk kanë akses te WhatsApp-i i tij, që nuk janë shokë fëmijërie të tij”, deklaroi ai.