LAJME / E Premte 4 Shtator 2026, 18:06

Kujdes ruani ushqimet! Vjen paralajmeirmi i pazakonte

Qeveria britanike u ka bërë thirrje familjeve që të mbajnë rezerva ushqimore në shtëpi, në kuadër të përgatitjeve për motin ekstrem dhe ndërprerjet e mundshme të furnizimeve.

Sekretarja Britanike e Mjedisit, Dame Angela Eagle, paralajmëroi se fenomeni natyror El Niño, i cili po zhvillohet mbi Oqeanin Paqësor dhe pritet të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar në dekadat e fundit, mund të sjellë kushte më ekstreme atmosferike në Britani.

Sipas saj, El Niño mund të shoqërohet me vera më të thata, dimra më të lagësht dhe stuhi më të forta në vend. Ajo theksoi se familjet duhet të kenë në shtëpi një sasi ushqimesh që mund t’i ndihmojë të përballojnë disa ditë në rast se shërbimet e emergjencës nuk arrijnë menjëherë të ofrojnë ndihmë.

Paralajmërimi vjen në të njëjtën kohë me një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Britanisë së Madhe (NAO), e cila ka ngritur shqetësime për sigurinë e zinxhirit të furnizimit me ushqime.

Raporti evidenton disa rreziqe që mund të shkaktojnë ndërprerje të furnizimit, përfshirë sulmet kibernetike, përhapjen e sëmundjeve te bimët dhe njerëzit, si dhe fenomenet ekstreme të motit. Ndryshimet klimatike konsiderohen gjithashtu një rrezik afatgjatë për furnizimin ushqimor të vendit.

NAO paralajmëroi se ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit mund të sjellin rritje të çmimeve të ushqimeve dhe të godasin veçanërisht familjet dhe individët më vulnerabël.

Sipas audituesve, Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale (Defra) është mbështetur në masë të madhe te kompanitë private për menaxhimin e krizave të furnizimit dhe nuk ka bërë sa duhet vitet e fundit për të forcuar qëndrueshmërinë e këtij sistemi.

Raporti thekson gjithashtu se familjet britanike janë më pak të përgatitura për emergjenca krahasuar me qytetarët e disa vendeve të tjera, përfshirë Finlandën, Suedinë dhe disa vende të Bashkimit Evropian.

NAO i ka rekomanduar qeverisë britanike të inkurajojë qytetarët të përgatiten për ndërprerje të mundshme të zinxhirit të furnizimit dhe të marrë mësime nga praktikat e vendeve të tjera.

Qeveria pritet të prezantojë më vonë gjatë këtij viti një strategji të re për përgatitjen dhe reagimin ndaj emergjencave kombëtare.