LAJME / E Diel 1 Tetor 2023, 20:08

Publikohet momenti i sulmit ku u vra polici Afrim Bunjaku (VIDEO)

Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha ka prezantuar pamje të vendit ku terroristët serbë u përgatitën për sulmin në Banjskë. Ai gjithashtu ka prezantuar edhe momentin e sulmit ku u vra polici Afrim Bunjaku, përcjell Klankosova.tv.

“Vrasja e tij ka ndodhur me detonim të minës antikëmbësorike të detonuar nga afërsia me teledirigjues dhe me bateri elektrike që është përdorur nga grupi terrorist”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Kosova ka mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup prej rreth 30 personave të armatosur dhe maskuar në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Serbia u mundua vazhdimisht të thotë se nuk ka të bëjë asgjë më këtë sulm, por faktet që do të publikohen dëshmojnë që përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi u kryen në bazën e trajnimeve ushtarake afër Jagodinës si dhe në Kopaunik. Këto pamje u siguruan nga dronët e grupit terrorist të cilit i kemi konfiskuar”, tha Sveçla.