
Të rinjtë që studiojnë në Tiranë, do të pajisen me një guidë e cila do t’u shërbejë për të njohur më mirë kryeqytetin dhe për t’u integruar më lehtë në jetën e re studentore.
Guida Studentore 2023 u prezantua në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se karta e Studentit do të zgjerojë gamën e shërbimeve si për ata që studiojnë në universitetet publike, edhe për ata të rinj që zgjedhin institucionet private të arsimit të lartë.
“Karta e Studentit ofron sot, edhe për studentët e universiteteve jopublike, rreth 1600 shërbime, të cilat duam që të vazhdojnë të shtohen. Çdo kursim që mund të bëjmë me kartën është ideale, por kursimi më i madh është fakti që abonoja e autobusit është falas për të gjithë studentët e qytetit të Tiranës, që pajisen me Kartën e Studentit dhe në këmbim marrin udhëtimin falas për të gjithë kohën që janë studentë. Kjo është diçka që do vazhdojmë ta ofrojmë edhe këtë vit. Po ashtu, do vazhdojmë të paguajmë 50% të kostos së konviktit që drejton Bashkia e Tiranës”, tha Veliaj.
“Guida Studentore 2023” synon të ofrojë informacione të rëndësishme, këshilla praktike dhe udhëzime për jetën studentore në Tiranë.
