LAJME / E Martë 22 Shtator 2026, 21:09

Ish-luftëtari i tri luftërave, Dan Limaj, i bën thirrje Familjes Jashari: “Bëjeni aktin e dytë sublim për Kosovën”

Ish-luftëtari i tri luftërave, në Kosovë, Preshevë dhe Maqedoni, Dan Limaj, i ka bërë një thirrje publike Familjes Jashari për bashkim dhe unifikim të faktorit politik e shoqëror në Kosovë.

Përmes një letre drejtuar Familjes Jashari, Limaj kërkon që, në këto ditë të vështira për vendin, familja e komandantit legjendar Adem Jashari të ndërmarrë një nismë për bashkimin e figurave dhe forcave kryesore politike të Kosovës.

Limaj propozon që Familja Jashari t’i ftojë në një takim unifikues familjen e Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, familjen e gjeneralit Ramush Haradinajt, si dhe liderët e të gjitha partive politike të Kosovës.

“Ju mundeni, ju dini, dhe ju keni forcë morale për një veprim të tillë”, shkruan Limaj.

Sipas tij, sot më shumë se kurrë është e nevojshme të ndërtohet një strategji e përbashkët për të mbrojtur vlerat e luftës dhe lirisë së Kosovës, por edhe për të vazhduar përpara.

Limaj e lidh thirrjen e tij edhe me zhvillimet e fundit pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Këto ditë, shqiptarët janë të shqetësuar me aktgjykimin e Gjykatës Speciale, që, duke dënuar katër drejtues të saj, padrejtësisht deformon dhe dënon luftën tonë për liri”, shkruan ai.

Ai thekson se lufta e UÇK-së, sipas tij, ishte luftë për liri.

“Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, nuk ishte luftë kundër askujt, por luftë për të hequr litarin e robërisë, që ishte në qafën e shqiptarëve”, thuhet në letrën e Limajt.

Në fund, ai i kërkon Familjes Jashari që të marrë përsipër një nismë bashkuese për Kosovën.

“Askush nuk ka tagër më shumë se Familja Jashari për të ndërmarrë një nismë unifikimi”, shkruan Limaj.

“Prandaj, bëjeni aktin e dytë sublim për Kosovën, atdheun tonë të përbashkët”, përfundon Dan Limaj.