LAJME / E Shtunë 26 Shtator 2026, 02:02

Plagosën një person dhe u larguan? Identifikohen babë e bir në Lezhë

Plagosja me armë në Lezhë, identifikohen dhe shpallen në kërkim babë e bir

Policia e Lezhës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona, babë e bir, të dyshuar si të përfshirë në plagosjen me armë zjarri të një 31-vjeçari, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në fshatin Manati.

Sipas policisë, personat e shpallur në kërkim janë B. Gj., alias B. V., 47 vjeç, dhe A. V., 23 vjeç, banues në fshatin Tresh të Lezhës.

Nga hetimet, dyshohet se rreth orës 13:10, pas një konflikti për motive të dobëta, dy të dyshuarit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të 31-vjeçarit me inicialet D. P., banues në Lezhë.

Si pasojë, 31-vjeçari ka mbetur i plagosur dhe po merr trajtim në spital. Sipas policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në kuadër të hetimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një automjet tip “BMW”, i cili dyshohet se është përdorur nga personat e shpallur në kërkim për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e dy personave, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

**Shënim:** Personat e përmendur janë të dyshuar për ngjarjen dhe përgjegjësia e tyre do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.