
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me demokratët e qytetit të Elbasanit, ku është ndalur te problematikat ekonomike dhe sociale me të cilat, sipas tij, përballen qytetarët shqiptarë.
Duke folur për situatën e pensionistëve dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen ata, Berisha u shpreh se qindra mijëra pensionistë nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet bazë të jetesës.
“Sot, jo vetëm ilaçet, por mbi 600 mijë pensionistë janë me pensione të pjesshme. Janë me pensione me të cilat absolutisht nuk marrin dot as dy javë ushqime, pa le ndihmë nga familjarët e tyre.”
Më tej, kreu i PD-së u ndal te kostot e rritjes së fëmijëve dhe çmimet e qirave, duke deklaruar se këto shpenzime po rëndojnë ndjeshëm mbi familjet shqiptare.
“Këto ditë publikohet lajmi se për të rritur një fëmijë, foshnja në vitin e parë, kërkon 66% të rrogës. Prandaj dhe ne jemi, kemi rënë në këtë mënyrë. Qiratë kanë kapur nivelin e rrogës mesatare. Pra, janë bërë mollë e ndaluar apartamentet për qytetarët.”
Sipas Berishës, vështirësitë ekonomike janë ndër faktorët që po ndikojnë në largimin e qytetarëve nga vendi. Ai e cilësoi Shqipërinë një vend me pasuri të shumta, por tha se këto pasuri nuk po përkthehen në mirëqenie për qytetarët.
“Të gjithë këta faktorë shtyjnë qytetarët tanë të ikin, të ikin, të ikin. Ndërkohë, vendi është absolutisht vendi i pasurive përrallore. I pasurive përrallore të gjithanshme. Nuk ka tokë dhe vend më të begatë se Shqipëria në çdo aspekt. Por të gjitha këto janë shndërruar në një mënyrë apo në një tjetër, në mallkim për qytetarin shqiptar.”
Duke kritikuar qeverisjen, Berisha akuzoi qeveritarët për përfitim nga pasuritë e vendit dhe ngriti shqetësime edhe për problematikat në shëndetësi dhe arsim.
“Janë shndërruar në parajsë për qeveritarë të pangopur dhe hajdutë, të cilët në mënyrë identike me ata që shtypën shqiptarët 46 vite, urrejnë qytetarin. Mund të listojmë një listë të pafundme të problemeve të jashtëzakonshme të rënda që përballet qytetari, për shëndetin e tij, për shkollimin e fëmijëve.”
Në vijim të fjalës së tij, kreu i PD-së u ndal te ajo që e cilësoi nevojë për “rithemelimin e Shqipërisë”, duke e përshkruar situatën në vend përmes një metafore të fortë.
“U ndala në këtë paraqitje për të theksuar se sirenat e nevojës për rithemelimit të Shqipërisë bien në të katër anët e vendit. Shqipëria realisht ngjet me një të sëmurë në sallën e urgjencës.”
Berisha vijoi të njëjtën linjë duke theksuar, sipas tij, nevojën për ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa e lidhi këtë me të ardhmen e Partisë Demokratike.
“Ngjet me një të sëmurë në sallën e urgjencës i cili kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Ndaj dhe ripërtëritja e Partisë Demokratike është jetike dhe përcaktuese për ripërtëritjen e Shqipërisë.”
