LAJME / E Martë 29 Gusht 2023, 19:07

Përplasja në BE për zgjerimin brenda 2030-ës, Rama reagon me ironi: Autobusi s’mund të bëhet kurrë aeroplan rus…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përplasjes së qëndrimeve mes Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian, një ditë pas deklaratës së presidentit të KiE-së, Charles Michel, i cili tha se brenda vitit 2030, BE-ja duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj në bashkësi.

Sipas Ramës, pavarësisht se vendmbërritja është shumë e largët dhe udhëtimi shumë i avashtë, autobusi i Bashkimit Europian është e sigurt se kurrë nuk do të përplaset.

Me ironi, Rama flet sërish edhe për “avionin rus” (referuar rastit Prigozhin), i cili u përplas, duke thënë se një autobus i BE-së, edhe nëse nuk ka vende për t’u ulur aktualisht, është shumë më i sigurt.

“Po sigurisht, kjo është arsyeja pse autobusi nuk mund të bëhet kurrë aeroplan… Gjithsesi më besoni, në statusin aktual të punëve të qëndrosh në autobusin e BE-së edhe pa ndenjëse është më e sigurtë se të ulesh në një aeroplan rus, sepse udhëtimi mund të jetë shumë i ngadaltë dhe destinacioni ynë shumë larg, por një gjë është e sigurtë si vdekja: Ky autobus nuk do të përplaset kurrë në BE”, shkruan në platformën X (ish-Twitter), ku ka shpërndarë edhe një artikull të medias ndërkombëtare Politico, në të cilin pasqyrohen mosmarrëveshja brenda BE.

Propozimi i presidentit të Këshillit Europian Charles Mishel për të caktuar vitin 2030 si afatin, kur Bashkimi Europian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë gati për zgjerimin, nuk u me entuziazëm në Komisionin Europian.

Teksa pranoi se zgjerimi është prioritet politik, Dana Spinant, zëdhënësja e trupit ekzekutiv të bllokut, theksoi se Komisioni nuk është i përqendruar tek afatet kohore, por tek ndihma e ofruar për vendet kandidate për të përparuar në procesin e zgjerimit.

Ajo theksoi se procesi duhet të mbetet i bazuar në merita dhe se kandidatët duhet të lëvizin në përputhje me suksesin e shënuar në përmbushjen e kushteve.

“E kemi thënë gjithmonë se zgjerimi është një proces i bazuar në merita çka nënkupton se një kandidat duhet t’i bashkohet bllokut kur të jetë gati.  Nuk jemi të fokusuar në afat kohore, por tek bashkëpunimi i afërt me vendet kandidate për t’i përgatitur për t’iu bashkuar bllokut. Jemi të përqendruar tek reformat, investimet, apo tek transformimi i ekonomive të këto shteteve.”

Zëdhënësja e Komisionit Evropian përsëriti se suksesi në zgjerim kërkon që edhe kandidatët edhe BE-ja të bëhen gati. Ajo ka paralajmëruar se liderët e BE-së do të diskutojnë për zgjerimin në samitin e Granadës në Spanjë.

Spinat tha se “nuk është në dijeni nëse ka pasur kontakte mes Charles Michel dhe Ursula von der Leyen për këtë çështje”, para se presidenti i Këshillit Europian të dilte me propozimin e tij.

Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, Mishel përsëriti disa herë se tani e tutje vendeve kandidate u duhet referuar si “anëtaret e ardhshëm të BE-së”.