Parlamenti i ri shqiptar do të përfaqësohet nga dy realitete të ndryshme politike: një Partia Socialiste me figura të reja dhe një Partia Demokratike që mbështetet sërish te emrat e vjetër.
Eksperimenti i kryeministrit Edi Rama për të rinovuar përfaqësimin në Kuvend ka rezultuar i suksesshëm, ndërsa opozita e drejtuar nga Sali Berisha ka zgjedhur të rikthejë emrat e kahershëm të skenës politike.
Në krahun opozitar, figura qendrore do të jenë vetë Berisha dhe Tritan Shehu, që mbeten simbol i gjeneratës së parë të politikës pas komunizmit. Nga 50 deputetët e koalicionit opozitar, vetëm 42 janë demokratë të listës zyrtare, ku 36 janë përzgjedhur nga lista e mbyllur.
Rreth gjysma e tyre janë rikthime të njohura: Fahri Balliu (nëpërmjet të birit), Gent Strazimiri, Jozefina Topalli, Bardh Spahia dhe Igli Cara – emra që mendohej se kishin lënë skenën, por që rikthehen nën thirrjen e Berishës.
Ndër të ashtuquajturit “të rinj” në listë, shumica janë emra të vjetër në sistem: Arian Ndoja dhe Gjin Gjoni, ish-figura të drejtësisë së kritikuar të para reformës, si dhe Klodiana Çapja nga Elbasani. Nga forumi rinor vjen vetëm Besart Xhaferri, ndërsa figura të njohura por të papërfshira më parë si deputetë – Eno Bozdo dhe Ivi Kaso – gjejnë më në fund vend në Kuvend, tashmë nën drejtimin e Berishës.
Lista e PD përfshin edhe emra më pak të njohur, për të cilët tradicionalisht pritet të jenë burim batutash dhe befasish në sallën plenare.
Ndërkohë, aleatët e Berishës kanë ndjekur qasje më pragmatike. Ilir Meta nuk e pranoi mandatin e sigurt, duke preferuar që në Kuvend të përfaqësohet nga katër deputetë të tjerë: Erisa Xhixho, Edmond Haxhinasto dhe dy emra të rinj – Tedi Blushi e Brunilda Haxhiu. Agron Duka i la vendin Artan Lukës.
Edhe “opozita e opozitës” ka hyrë në Kuvend. Agron Shehaj me partinë e re ka siguruar një vend për vete dhe një deputet tjetër. Po ashtu, përfaqësim kanë fituar Adriatik Lapaj me “Shqipëria Bëhet” dhe Redi Muçi me “Lëvizja Bashkë”.
Në këtë konfigurim të ri politik, figura e Sali Berishës mbetet konstante – si përfaqësues i një stili që refuzon ndryshimin, duke ndërtuar një opozitë që mbështetet te kontinuiteti, edhe kur ai vjen përmes rikthimeve të bujshmedo t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE