
Hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi po orientohen gjithnjë e më shumë drejt pistës së një vrasjeje të mundshme, ndërsa autoritetet dyshojnë se trupi i tij mund të jetë fshehur në një zonë të izoluar pas krimit.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në automjetin tip Porsche, i cili dyshohet se është përdorur nga Armand Shakaj, personi i shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen, janë sekuestruar disa mjete pune, përfshirë edhe lopata me gjurmë dheu. Ky zbulim ka shtuar dyshimet se mund të jetë tentuar fshehja e trupit pas ngjarjes.
Ndërkohë, kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit vijojnë në disa zona të vendit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, deklaroi se operacioni është përqendruar kryesisht në zona të thella malore në qarqet e Tiranës dhe Elbasanit. Në procesin e kërkimit janë përfshirë edhe struktura të specializuara nga Kosova, të cilat po asistojnë me qen gjurmues.
Paralelisht me operacionin për gjetjen e të riut, policia po punon edhe për lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt, i konsideruar person kyç në hetim dhe një nga miqtë më të afërt të Koçit.
Sipas të dhënave të siguruara deri tani, hetuesit dyshojnë se pas zhdukjes së 34-vjeçarit mund të ketë pasur një konflikt të fortë mes dy shokëve. Një nga pistat kryesore lidhet me aktivitetin e kriptovalutave dhe me mosmarrëveshje financiare që mund të kenë lindur për shuma të konsiderueshme parash.
Nga verifikimet e kryera rezulton se po hetohen informacione sipas të cilave Shakaj dyshohet se merrej me dhënien e parave me interes, ndërsa Eglant Koçi mund të ketë shërbyer si ndërmjetës në disa transaksione financiare. Hetuesit po analizojnë mundësinë që një shumë e konsiderueshme parash të mos jetë kthyer, duke sjellë përplasje mes palëve.
Një tjetër element që po shqyrtohet nga grupi hetimor është lëvizja e automjetit të dyshuarit pas zhdukjes së Koçit. Sipas dyshimeve, mjeti mund të jetë transportuar me karrotrec drejt zonës së Ibës, me pretendimin se kishte pësuar defekt. Hetuesit besojnë se kjo lëvizje mund të ketë pasur si qëllim shmangien e kamerave të sigurisë dhe fshehjen e gjurmëve që do të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjes.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se hetimet janë ende në zhvillim dhe se çdo pistë po verifikohet përmes provave dhe ekspertizave të specializuara, ndërsa fati i Eglant Koçit mbetet ende i paqartë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
